Spiropali: O Bardh Ziu nuk të kemi faj. Bardhi: Ke të drejtë që nervozohesh, SPAK ka punë me ty


Spiropali: O Bardh Ziu nuk të kemi faj. Bardhi: Ke të drejtë që nervozohesh, SPAK ka punë me ty

14:28 07/01/2021

Kallëzimi në SPAK që ka bërë PD-ja për disa zyrtarë të PS-së ka sjellë reagimin e ministres Elisa Spiropali duke krijuar një debat me Sekretarin e Përgjithshëm të demokratëve, Gazment Bardhi.

Kallëzimi, që në fakt mban firmën e Bardhit, bëhet për shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore.

Por nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Elisa Spiropali i kthen përgjigje Bardhit dhe i thotë se nuk ka faj që tek PS-ja shtohen simpatizantët pasi përfaqësuesit e saj shkojnë tek qytetarët. Sipas ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, opozita pret që qytetarët të shkojnë tek ata.

“O Bardh Ziu, nuk të kemi faj ne që i shtojmë simpatizantët tanë sepse nuk presim të vijnë ata tek ne por vemi ne tek ata, ndërsa ju me në krye Lul Gjumin, duke pritur që të vijnë njerëzit tek ju dhe jo të shkoni ju tek njerëzit, ngrini komitete e komisione spastrimesh autodestruktive për të larguar me çdo kusht dhe me çdo çmim nga radhët tuaja ata që gjumashave si ju s’ju binden, derisa të katandiseni me zero simpatizantë dhe elektorat inekzistent”, shkruan ajo.

Ndërkohë edhe sekretari i PD-së reagoi duke thënë se Spiropali ka të drejtë të nervozohet pasi SPAK do duhet të merret me të para dhe pas zgjedhjeve.

“Ka të drejtë që nervozohet! SPAK ka punë me të para dhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Elisa Spiropali, Edi Rama dhe çeta e tij janë në shkelje të ligjit. Ata do të japin llogari për thirrjen me dhunë të administratës në takimet e PS, përdorimin e lejeve të legalizimit apo procesit të rindërtimit për qëllime elektorale, si dhe për abuzimin me pushtetin dhe paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve këto 8 vjet”, shkruan Bardhi.

Bardhi thotë se qytetarët janë bindur gjatë kësaj kohe të vështirë se politikanët si Edi Rama e Elisa Spiropali mendojnë vetëm për vete./tvklan.al






Të ngjashme