Spitalet e Lombardisë: Kemi mungesë mjekësh
Mungesa në shtretër për të prekurit nga koronavirusi
Spitalet e rajonit të Lombardisë në Itali janë pranë kolapsit për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të të shtruarve që kurohen nga koronavirusi. Mungojnë shtretërit, sidomos për ata që janë në terapi intensive, por po ashtu edhe mjekët. Qeveria ka vendosur të thërrasë mjekët në pension për situatën e krizës.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkuan krijimin e strukturave të posaçme si pjesë e spitaleve, vetëm për kurimin e koronavirusit. Numri i të vdekurve në gjithë Italinë ka arritur në 34 dhe mbi 1500 ai i të infektuarve.
Shkollat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura në veri të Italisë deri më 8 Mars. Autoritetet në Milano kanë gjetur si zgjidhje aplikacionin e shkollës online.
American e Turkish Airlines janë kompanitë ajrore të radhës që kanë pezulluar fluturimet drejt Italisë.
Teksa edhe në Francë, numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në 100, autoritetet kanë vendosur të mbyllin shumë institucione publike, ndër të cilat edhe muzeun e famshëm të Luvrit. Ka bërë bujë rasti i shërimit të një 98-vjeçareje në Uhan, vatrën e koronavirusit, e cila ishte paraqitur në spital në gjendje të rëndë. Në gjithë globin, numërohen 2979 të vdekur, gati 87 mijë të infektuar dhe mbi 42 mijë të shëruar.
Tv Klan