Spitalet në Itali, në prag kolapsi


Spitalet në Itali, në prag kolapsi

15:53 10/11/2020

Nuk përballojnë dot numrin e pacientëve

Sistemi shëndetësor italian rrezikohet nga kolapsi total për shkak të shifrave tepër të larta të infektimeve ditore që autoritetet i konsiderojnë të jashtëzakonshme.

Të shtunën, infektimet ditore në të gjithë vendin shënuan kulmin me afro 40 mijë raste të reja, një shifër 6 herë më e lartë se rekordet e infektimeve ditore të valës së parë, kur Italia konsiderohej vatra e dytë e përhapjes globale të COVID-19 pas Kinës.

Shtypi italian shkruan këtë të martë se spitali i zonës së Briancës në veri të vendit që mbulon një hapësirë prej rreth 1.5 milionë banorësh ka rënë në kolaps. Shërbimi i urgjencës nuk u përgjigjet më personave që kërkojnë ndihmë pasi kapacitetet janë ezauruar. Shqetësuese është mungesa e mjekëve pasi 340 pjesëtarë të stafit mjekësor rajonal janë të infektuar dhe të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Mbi 1600 ishin të infektuarit vetëm për këtë zonë, kur u shënua edhe rekordi kombëtar.

Me qindra janë spitalet në gjithë vendin që kanë dhënë alarmin, se janë në prag të ezaurimit të kapaciteteve.

Në këto kushte, qeveria italiane nuk e përjashton më rikthimin e karantinës kombëtare po aq të ashpër sa në valën e parë kur njerëzit u detyruan të mos dilnin nga shtëpitë, vetëm me leje të posaçme për arsye shëndetësore, pune dhe për blerjet e përditshme.

Mediat shkruajnë se si datë e vënies në zbatim të karantinës kombëtare pritet të jetë 15 Nëntori.

Aktualisht, në Itali po aplikohet sistemi i karantinave të pjesshme rajonale. Në karantinë janë 4 rajone të shpallura zona të kuqe, Lombarbia, Val d’Aosta e Piemonte në veri, si dhe Kalabria në jug ku lëvizja e qytetarëve nuk lejohet gjatë natës, pas orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Tv Klan






Të ngjashme