Spitali i Kirurgjisë (13 Korrik 1999)


Spitali i Kirurgjisë (13 Korrik 1999)

17:56 13/07/1999

Klinika e parë e kirurgjisë e cila përballet me rastet që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale ka nevojë për një ndërhyrje në mjediset e saj. E vetmja që nuk ka ndryshuar që pas vizitës së Kryeministrit Majko është lavanteria. Mungesa e solarit që vë në punë kaldajën ka pezulluar larjen e çarçarfëve. Në këtë lavanteri janë mbledhur materialet e palara të 8 spitaleve tona.

Në këto pavione nga mjekët punohet me përkushtim dhe pa orar për të shpëtuar jetë njerëzish. Lagështira ka mbuluar gjithçka madje dhe salla e operacionit ka mure të tillë, lavamane dhe çezma që nuk punojnë. Dhoma e sterilizimit ku kullojnë ujërat e zeza nga një kat më sipër. Edmond Çeliku, Shefi i Klinikës tregon mangësitë.

Edmond Çeliku: Mbi shëndetin e të sëmurit mbi kujdesin e të sëmurit asnjë herë, nuk vihet paraja. Ky është një pavion që është ndërtuar para 3 vjetësh dhe është dëmtuar pas 6 muajsh. Këtu dominon lagështira, muret janë të gjitha të lagura, tavanet pikojnë, lagështia është e ndjeshme dhe i bën disa dhoma të papërdorshme për të sëmurët.

Kirurgu Kaçi: Shumë dhoma janë nxjerrë jashtë përdorimit, janë të pafunksionueshme të paktën si hoteleri. Numri i operacioneve arrin deri 1500, 1700 operacione vjetore. Natyrisht duke përfshirë edhe një pjesë të operacioneve të cilat nuk dokumentohen saktësisht nëpër libra dhe kështu me radhë./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti






Të ngjashme