Spiunët e tradhtisë


Spiunët e tradhtisë

15:14 23/06/2020

Rrjetet sociale kanë rritur dozën e xhelozisë dhe divorcet

Rrjetet sociale kanë ndryshuar shumë aspekte të jetës sonë. Një ndër ta, që duket i modifikuar në mënyrë thelbësore është dashuria, e mbi të gjitha xhelozia.

Kjo e fundit për psikologët konsiderohet bijë e frikës dhe pasigurisë, por e lidhur ngushtësisht me dashurinë. Pas saj fshihen frika për të humbur njeriun e zemrës, apo të qenit i braktisur.

Dikur, shenja e një buzëkuqi në këmishë, apo një fije floku i gjatë, ishin vula e tradhtisë. Por sot, teknologjia ka ndryshuar edhe këtë aspekt, ku “kutia e zezë” e jetës së njeriut, telefoni, kthehet nga mjet komunikimi në burim problemesh.  

Sot nuk janë vetëm meshkujt që tradhtojnë si dikur, por edhe gratë, me të njëjtat doza thonë ekspertët e mendjes.

Kontrollet në rrjetet sociale, përndjekjet e partnerëve, të miqve të tyre, të faqeve të ndjekura nga secili, shndërrohen në një vorbull obsesive, që kanë ndikuar në shtimin e jashtëzakonshëm të rasteve të divorceve, e ndarjeve.

Kështu spiunazhi informatik është shtuar, përballe një eksesi të përdorimit teknologjik të mediave sociale.

Por, ekspertët theksojnë se një marrëdhënie e shëndetshme është me e thellë se impulsiviteti i zemërimit që korrupton zemrën, gërryen stomakun e mjegullon mendjen.

Sipas tyre, dashuria dhe të rezistosh sot është më e rëndësishme se dyshimet e panumërta. Besimi dhe pranimi i partnerit, të qenurit miq, respekti reciprok dhe i hapësirave respektive personale, janë çelësi, pasi xhelozia është pjesë e dashurisë, dhe jo e kundërta.

Marrëdhëniet e shëndetshme rezistojnë kur ka vetëbesim e autorespekt, që më pas ushqejnë dashurinë, dashamirësinë, pasionin, e mbi të gjitha besnikërinë në çift.

Tv Klan






Të ngjashme