“Spiunët të kthehen sërish në shkollë”
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar shërbimet inteligjente të SHBA-së dhe i ka quajtur “naive” për qasjen e tyre ndaj Iranit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u ka kërkuar agjencive të inteligjencës amerikane që të jenë më të kujdesshme ndaj Iranit dhe jo të tregohen naive, ndërsa ka hedhur poshtë informacionet e tyre për kërcënim nga Koreja e Veriut. Lidhur me këto kritika, Trump tha me ironi se ndoshta spiunët e agjencive inteligjente duhet të rikthehen në shkollë.
“Jini të kujdesshëm ndaj Iranit. Ndoshta Inteligjenca duhet të rikthehet në shkollë”
, shkroi Donald Trump në Twitter.
Reagimet e Presidentit amerikan erdhën pas raportit të Inteligjencës, ku thuhet se Irani nuk po prodhon armë bërthamore. Në raport thuhet gjithashtu se Koreja e Veriut e ka të pamundur që të heqë dorë nga prodhimi i armëve.
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Amerikane dhe shefat e tjerë të agjencive inteligjente paraqitën në Senatin e SHBA raportin e kërcënimeve në botë.
Vitin e kaluar, Presidenti amerikan u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranit e vitit 2015, duke shkaktuar polemika. Po kështu, Trump u takua edhe me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe tha se ky takim i dha fund kërcënimit bërthamor nga shteti komunist.
/tvklan.al