Sport futboll, Kombëtarja në Gjermani – (23 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
E grumbulluar në Hamburg të Gjermanisë pikërisht sot në mesditë ka filluar edhe përgatitja e skuadrës kombëtare të shqipërisë për takimin kundër Letonisë që do të zhvillohet ne Riga më 28 Prill. Ndërsa ka rrezikuar, çështja e portierit Beqaj është zgjidhur përfundimisht sot paradite dhe klubi grek i Ofit të Kretës ka pranuar që portieri shqiptar të udhëtoj të dielën për në Hamburg.
Në seancën e parë të stërvitjes zhvilluar sot kanë munguar edhe Vata e Tare, pasi të dy futbollistët janë të impenjuar në takimet e skuadrave të tyre që luajnë sot në Bundesligën e 2-të, në kampionatin Gjerman. Në mbrëmje lojtarët do të udhëtojnë për në Hamburg për tu bashkuar me skuadrën.
Ndërsa skuadra kombëtare ka filluar stërvitjen në Hamburg, organizatorët vendas kanë menduar të zhvillojnë një takim miqësor ndërmjet përfaqësueses të Shqipërisë dhe një skuadre lokale. Ka qenë kjo një ide e hedhur nga vetë trajneri Hafizi që ka gjetur aprovimin e menjëhershëm të qytetarëve në lokalitetin ku është vendosur kombëtarja. Kjo ndeshje ka për qëllim grumbullimin e të hollave për fëmijët nga Kosova./tvklan.al