Sport, intervista me Alban Bushin e Altin Haxhin – (7 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Trajnerëve të skuadrës sonë përfaqësuese, Medin Zhega dhe Vasil Bici, një nga një po iu vinë futbollistët e kombëtares të thirrur për ballafaqimin e 11 Tetorit, kundër Greqisë në Tiranë. I pari ka mbërritur nga Turqia Alban Bushi, i cili po stërvitet këto ditë me Tiranën, për të ruajtur formën e tij të mirë sportive. Pas tij kanë mbërritur Bogdani e Tare.
Mbrëmë kanë mbërritur nga Greqia, Altin Haxhi e Arian Beqaj, ndërkohë që sot priten të vijnë edhe futbollistët e tjerë që do të plotësojnë listën e Zhegës. TV Klan me kamerën e vetë është gjendur si në Stamboll ashtu edhe në Selanik për të realizuar dy intervista ekskluzive me futbollistët e shquar të përfaqësueses sonë, Alban Bushi e Altin Haxhi.
Alban Bushi:- “Ndeshjen me Greqinë e presim si unë, të gjithë shokët e mi, ashtu dhe gjithë Shqipëria, me padurim. Dua t’i them se në qoftë se ekipi fiton, unë si Alban Bushi ia dedikoj publikut shqiptar”.
Altin Haxhi:- “Besoj se me disa rregullime të vogla çdo gjë do shkojë më së miri. Uroj që ky rikthim të bëhet që në ndeshjen e dytë që kemi me grekët, që besoj do të jetë diçka vendimtare për ekipin tonë. Kam shpresë se çdo gjë do shkojë mirë”./tvklan.al