Starton spektali Maratona e Këngës Popullore nën drejtimin e Rudina Magjistarit (21 Nëntor 2000)
Në mbrëmjen e ditës së djeshme, në studion më të re të Televizionit Klan është zhvilluar nata e parë e spektaklit Maratona e Këngës Popullore Shqiptare. Nën drejtimin e prezantueses Rudina Magjistari dhe me regjisor Bledar Laço, ky është spektakli televiziv më i madh i organizuar nga Televizioni Klan dhe është një prodhim ekskluziv i këtij televizioni. Spektakli do të zgjasë 16 javë dhe do të paraqiten emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare. Ndër ta Bujar Qamili, Parashqevi Simaku dhe mjaft të tjerë.
Në mbrëmjen e parë të këtij spektakli janë ngjitur në skenë emra që kishin vite që i mungonin skenës sonë si grupi “Përmbi Tepelenë”, Selami Kolonja, Laza Rela dhe Migena Biberi. Por, përveç konkurrimit të këngëve, spektakël më vete ka ofruar dhe ndarja e çmimeve për llotarinë “Porta e Fatit”. Dy kanë qenë fituesit e kësaj llotarie./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora