Steinmeier: SHBA, Kina, Rusia rrezikojnë rendin botëror
Armatimi bërthamor shton pasigurinë dhe rreziqet
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka kritikuar Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Rusinë dhe Kinën se po rrezikojnë rendin botëror me politikat e tyre egoiste.
Por sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, nuk i pranoi kritikat e bëra në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Në fjalimin hapës të Konferencës së Mynihut, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi hapur Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën. Tre vendet, tha ai, po vënë në rrezik rendin botëror, duke parë ngushtësisht vetëm veten e tyre.
“Secili vend duhet të shohë vetë, se ku mbetet, e të vendosë interesat e tij mbi gjithë të tjerët. Kjo është deviza e presidentit amerikan, Donald Trump”, tha ai.
Rusinë, e akuzoi për aneksim të Krimesë duke shkelur te drejtën ndërkombëtare.
Ai u shpreh se që nga ajo kohë, në kufijtë e Europës sundon pasiguri dhe paparashikueshmëri.
Kinën, e akuzoi për qëndrime të dyfishta, duke thënë se ajo e pranon të drejtën ndërkombëtare vetëm në mënyrë selektive, jo aty ku bie ndesh me interesat e veta.
Presidenti gjerman megjithatë e vlerësoi bashkëpunimin transatlantik, edhe pse shprehur rezerva për rolin e Amerikës.
Por sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e kundërshtoi. Ai nuk i pranoi kritikat për tërheqjen amerikane nga skena globale, duke thënë se deklaratat për vdekje të aleancës trans-atlantike janë tejet të ekzagjeruara.
Për Gjermaninë problem është gara nukleare e rinisur mes Shteteve te Bashkuara dhe Rusisë, pasi ajo do të krijojë më shumë pasiguri dhe më shumë rreziqe për situatën e brishtë të stabilitetit nuklear.
Tv Klan