Stërvitje ushtarake, Divizioni i Kukësit – (29 Maj 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Divizioni i Kukësit demonstroi forcën e tij në stërvitjen më të madhe të zhvilluar deri tani në kufijtë veriorë të vendit shumë pranë përqëndrimeve ushtarake serbe. Për të marrë pjesë në këtë stërvitje të koduar “Drini i Bardhë 99” erdhën Presidenti Mejdani, Kryeparlamentari Gjinushi dhe zëvendësi i tij Namik Dokle, si dhe titullarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas njohjes së situatës të bërë nga Gjeneral Kudusi Lama u shpalos para të pranishmëve i gjithë arsenali luftarak i Divizionit përfshi artilerinë e rëndë si dhe tanket, të cilët demostruan sot fuqinë më të madhe të zjarrit, duke treguar gadishmërinë e tyre për përballimin e çdo situate konfliktuale të krijuar nga serbët.
Në stërvitjen “Drini i Bardhë” u angazhua vetëm Divizioni II luftarak i Kukësit i cili në disa raste është përleshur me forcat serbe duke ruajtur të paprekur integritetin e republikës së Shqiperisë. Pas stërvitjes Presidenti Mejdani zhvilloi një takim me krerët e Divizionit si dhe ato të Pushtetit Lokal./tvklan.al