STOP – EMISIONI 133 (SEZONI 3)
Dhuratat e 7 marsit: lule varëse, por edhe zarfe me para…?!
Gramsh, drejtori i hipotekës s’plotëson kriteret ligjore, rezultatet ‘top secret”.
Kryeministri Edi Rama pak kohë më parë u kërkoi të gjithë drejtorëve të Hipotekave dorëheqjen.
“Firmosni dorëheqjen sot, që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë!”
Shumë prej drejtorëve dhanë dorëheqjen, disa u pushuan, e disa të tjerë u dëmshpërblyen për heqje të padrejtë nga puna. Por nisma e kryeministrit bëri që shumica e posteve të drejtorit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Palujtshme të ngeleshin bosh, pasi procedura e konkurimit për gjetjen e drejtuesve të rinj nuk funksionoi.
Nga ky moment nisi procedura e konkurimit për gjetjen e drejtuesve të rinj. Por ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se kandidatët nuk ishin të përshtatshëm, ndaj dhe procedura u përsërit.
“Nuk arrijmë dot që të kemi në krye të këtyre institucioneve, për të cilat ne duam të bëjmë ndryshim, profesionistët më të mirë të vendit”.
Procedura e konkurimit kualifikoi katër kandidatë për drejtorë të Hipotekës së Gramshit, por asnjë prej tyre nuk është informuar se sa pikë ka marrë në dy testimet e zhvilluara.
Drejtor i Hipotekës Gramsh u zgjodh Xhilson Bajrami, i cili nuk plotëson kriteret ligjore. Ndërsa një prej konkurrentëve, Elidjan Koçi deklaron se nuk mori kurrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për rezultatin e tij të testimit me shkrim e me gojë.
“Më datë 21 Dhjetor 2017, në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë, është zhvilluar testim, që ka zgjedhur për rreth 2 orë. Një javë më pas jemi njoftuar për intervistën me gojë, jam paraqitur dhe e kam dhënë intervistën. Unë akoma nuk e di sesa pikë kam marrë nga testimi me shkrim dhe intervista me gojë. Në fakt unë i kam kërkuar punonjësve të ministrisë edhe verbalisht edhe me shkresë që të marr informacion mbi pikët që unë kam marrë në këto testime. Deri më sot nuk më është mundësuar asnjë informacion i tillë. Për këtë arsye i jam drejtuar emisionit tuaj, për të mësuar të vërtetën!”
, u shpreh Elidjan Koçi, i cili nuk është përzgjedhur për postin e drejtuesit të Hipotekës Gramsh.
Drejtor i Hipotekës Gramsh u përzgjodh Xhilson Bajrami, pasi sipas Ministrisë së Drejtësisë, i plotësonte të gjitha kriteret ligjore, si shtetësi shqiptare; arsim të lartë juridik, ekonomik, inxhinierik ose menaxhim publik; përvojë në administratë publike prej më shumë se 5 vitesh, si dhe nuk është dënuar penalisht.
Por denoncuesi pretendon se i përzgjedhuri i Ministrisë së Drejtësisë nuk e plotëson kushtin e vjetërsisë së punës në administratë publike.
Gjatë hulumtimit të emisionit “Stop” rezultoi e Xhilson Bajrami është punësuar për 11 muaj pranë OSHEE, 3 muaj në Spitalin e Gramshit, 9 muaj pranë “Ujësjellës Gramsh Sh.a” dhe 12 muaj në bashki, pra në total 35 muaj i punësuar në administratë publike.
Elidjan Koçi tregon se ka bërë ankim administrativ, të drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, por ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare
.
Kavanozët e plehrave, reagimi i vakët i AKU, Hetimit Tatimor e Higjenës.
Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e një magazine në zonën e Sharrës, që mblidhte kavanozë nga kazani i plehrave dhe ua shiste fabrikave të salcave dhe produkteve ushqimore.
Në këtë objekt shkuan sot përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Hetimi Tatimor. Por Instituti i Shëndetit Publik nuk e pa të arsyeshme ta vinte ujin në zjarr për sigurinë ushqimore.
Qytetari – Si jeni me vazot… kavanozat? Çfarë grumbulloni?
Pronari –
Grumbulloj të gjitha llojet… edhe shesim përditë.
Qytetari – I marr të lara? Si i marr?
Pronari –
Jo!
Qytetari – Nuk i marr të lara ë? Unë për atë isha më shumë, më leverdis me i marrë të lara apo jo.
Pronari –
Jo, jo! Janë të tjera ato.
Qytetari – Janë të tjera ë…?!
Pronari –
Ato i lajmë vetë ne…
Qytetari – T’i shohim? Po të salcës?
Pronari –
Të salcës janë të lara.
Janë të kazanëve… Në Tiranë i marrim, i marrim në Durrës.
Qytetari – Më jep nja 4 copë, 5 (thasë)… O Nezir, këta i kemi direkt për kështu… Marrim kapakët edhe…
Pronari –
Janë të lara, janë gati për prodhim.
Qytetari – Sa është?
Pronari –
500 lekë. (të vjetra)
Qytetari – Sa copë ka ky (thesi)?
Pronari –
15.
Qytetari – Me çfarë temperature i lani?
Pronari –
Me sodë, me sodë kaustike.
Qytetari – Me sodë kaustike? Temperatura e ujit apo…?
Pronari –
Uji kështu… i ngrohtë…
Qytetari – I ngrohtë?
Pronari –
Po!
Pronari –
(numëron kapakët) 6,8…
Qytetari – Po kështu, a shet ?
Pronari –
Po, përditë shesim!
3 thasë more nga ato, 150 copë.
Qytetari – Sa i bie?
Pronari –
44 mijë lekë. ( të vjetra)
Pas transmetimit të këtij skandali në emisionin “Stop”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Hetimi Tatimor iu drejtuan kësaj magazine.
“Është i regjistruar në QKB, është i siguruar. Janë marrë faturat e mallit, do verifikohen dhe do të kalojë për ndjekje të mëtejshme”,
tha përfaqësuesi i Hetimit Tatimor.
AKU shprehet se nuk është kompetencë e saj kjo situatë, pasi ky institucion merret vetëm me produktin ushqimor, ndërsa Hetimi Tatimor thotë subjekti në fjalë është i pajisur me të gjithë dokumentacionin.
Pra, organi i vetëm që duhet të bëjë verifikimin e skandalit është Instituti i Shëndetit Publik, i cili nuk është bërë “i gjallë”. Ndaj dhe gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua këtij institucioni për të pyetur nëse do të veprojnë apo do ta lejnë pikën e grumbullimi në këtë gjendje.
Gazetarja – Mesa duket ju e keni bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr. Do reagoni, s’do reagoni? Çfarë keni ndërmend të bëni?
Dritan Ulqinaku –
Çfarë kërkoni nga unë? S’po e marr vesh.
Gazetarja – Duhet të ngreni një grup për të inspektuar.
Dritan Ulqinaku – Nuk e kam parë emisionin.
Gazetarja – Kur keni ndërmend ta shikoni dhe kur keni ndërmend të reagoni?
Dritan Ulqinaku –
Direkt.
Gazetarja – Kur direkt?
Dritan Ulqinaku – Sa ta di, ta shoh. Ça të të them unë?
Gazetarja – Ja, ta tregoj unë.
Dritan Ulqinaku – Zonjë, të lutem bëj një kërkesë dhe unë direkt do të ngrej grupin tim. Nëqoftëse është për shëndetin publik, absolutisht që do të reagojmë direkt!
Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh:
“Institucionet në këtë rast nuk pyesin fare për shëndetin e qytetarëve!”