“STOP”/ Historia e dhimbshme dhe apeli i jetimit për ndihmë
Historia prekëse e një jetimi ka ardhur në fokusin e programit investigativ “STOP”. Bëhet fjalë për Kreshnikun, i cili i është drejtuar emisionit për të bërë një apel. Ai kërkon një vend pune për tu ushqyer dhe për të jetuar.
Përpara mikrofonit, Kreshniku rrëfen vështirësitë që ai ka kaluar që në vogëli, por kalvari i vuajtjeve të tij vijon ende edhe sot e kësaj dite. Në shtëpinë e fëmijës, Kreshniku pohon se ka qëndruar një vit e një muaj dhe më pas është adoptuar nga një familje. Por, për ironi të fatit, vuajtjet e tij janë shtuar edhe më tepër, për shkak se dhuna e vazhdueshme ka qenë "mikëpritëse" e tij në këtë familje.“Kam kaluar nga shiu në breshër”-
thotë ai. Pasi është larguar nga familja që e kishte adoptuar, Kreshniku ka jetuar në konvikt në shkollën artistike të muzikës për katër vite me radhë.“Dëshiroja të filloja një unviersitet më pas, por për arsye ekonomike ishte e pamundur “-
thotë ai. Përpara se t’i drejtohej emisionit, Kreshniku thotë se ka trokitur në disa dyer institucionesh për të gjetur një vend pune, për tu ushqyer, por asnjëra prej tyre nuk është hapur... Ky është rasti i këtij jetimi, por sa të tjerë përballen me të njëjtat probleme pasi dalin nga këto institucione ? Si trajtohen ato? Psikologia Orjola Pampuri rrëfen se kjo është kategoria më vunerabël e shoqërisë, të cilët përveç problemeve që hasin nëpër instucionet shtetërore, edhe kur dalin nga këto qendra ndeshen me mjaft probleme të tjera, si papunësia dhe mospërkrahja ekonomike dhe morale, duke u kthyer më pas në një plagë për shoqërinë.“Kjo është kategoria më vunerabël e shoqërisë, përfshi kategoritë e tjera që përfshihen në sjellje me risk, kjo është një ndër kategoritë më vunerabël. Madje edhe në raste të cilët e kanë statusin e jetimit dhe në momentin që dalin nga strukturat, pra që është deri në moshën 18-vjeçare për t'i mbështetur, edhe më pas këta përballen me shumë vështirësi, dhe vështirësi të tilla i shtyjnë herë pas here të ndërmarrin sjellje që ne i quajmë sjellje me risk. Në të tilla raste këta gjenden të pastrehë, gjenden të pambështetur, pa një mbështetje sociale, ekonomike dhe në rastin konkret është akoma dhe më e agravuar çështja, pra ka dalë nga një familje që e ka dhunuar dhe ky person nëse nuk gjendet i mbështetur, nëse nuk ka një punë apo një mbështjetje ekonomike apo morale atëherë ka shumë mundësi që ky të ndërmarrë sjellje që mund të jenë të rrezikshme për shoqërinë tonë. Duhet të ketë disa struktura që t’i mbështesin të tillë persona, pasi janë ato persona që në një farë mënyre formësojnë shoqërinë dhe nga ana tjetër janë ato persona të cilët e shndërrojnë në një plagë të shoqërisë tonë.”/tvklan.al