“STOP”/ Ky është Alfonsi, 7 – vjeçari i cili nuk ekziston ligjërisht


“STOP”/ Ky është Alfonsi, 7 – vjeçari i cili nuk ekziston ligjërisht

21:14 02/11/2016

Duket se fati ende nuk ka trokitur për Alfonsin, djalin 7 - vjeçar i cili jeton në komunën Rethina në Shkodër. I braktisur nga mamaja e tij biologjike kur ishte vetëm 4 muajsh, tashmë ai është i “braktisur” edhe nga Gjendja Civile, pasi kjo e fundit nuk e ka të regjistruar emrin e tij dhe Alfonsi ligjërisht nuk ekziston.

Babai i 7 - vjeçarit, Anton Dakaj, për mikrofonin e emisionit investigativ "STOP" tregon se nga bashkëjetesa me partneren, e cila sot nuk ndodhet më në Shqipëri ka sjellë në jetë Alfonsin, por për regjistrimin e fëmijës i thonë se duhet të hapë gjyq, e Antoni nuk ka para. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi i ka sugjeruar ta regjistrojë si fëmijë të gjetur. Ndërsa kreu i Njësisë Administrative, Vlash Pjetri, shpjegon se pa prokurën e së ëmës, Alfonsi i vogël nuk mund të regjistrohet.

14859812_1361882193831666_6562161199361368278_o

"Unë jam Anton Dakaj, nga Tropoja. Kam gati 30 vjet që jetoj në Shkodër. Kam një fëmijë, nuk kam gjetur asnjë rrugëzgjidhje për regjistrimin e tij. Të gjitha institucionet këtu në Shkodër i kam shëtitur, me komunë Rrethinë, me Bashki... Kam qenë në bashkëjetesë me atë grua, por ma ka lënë fëmijën 4 muajsh në rrugë të madhe. Unë jam detyruar e kam marrë, e kam rritur, por nuk kam gjetur zgjidhje asgjëkundi për ta regjistruar. E kam çuar në shkollë, por kjo gjë është sot për nesër edhe në shkollë.

 I kam shkuar edhe Voltana Ademit. 

Më tha pse nuk e ke regjistruar fëmijën sikur të ishte fëmijë i gjetur? Por unë nuk e regjistroj si të tillë, pasi e kam rritur vetë që 4 muajsh. Jam lodhur për t’i blerë gjërat sepse jetoj në shtëpi me qera, pa asnjë të ardhur. Kam jetuar tri vjet në karrocë në shtëpinë time, vetëm 11 muaj më kanë dhënë KEMP dhe më pas ma kanë ndërprerë. Gjendja Civile nuk ta var fare, të thonë që duhen letrat e ish asaj që ke bashkëjetuar. Por ajo nuk dëgjon që t'i çojë, ajo ka ndërruar emër, mbiemër, çdo gjë, është e martuar në Maqedoni. Ajo nuk ka dëgjuar asnjëherë për të çuar asnjë dokument.

Kjo për shembull është çertifikata e lindjes së djalit. Këtë letër nuk e pranojnë dhe thonë shko e drejtohu gjykatës. Por gjykatës me çfarë t’i drejtohem unë? Mua mezi po me del të ha bukë. Ku ti marr unë 1000 euro që kanë kërkuar në gjykatë për të hapur gjyqin?"

14884709_1361881613831724_2946739475982103474_o

Aktualisht je në punë?

"Jo!"

Çfarë profesioni keni?

"Unë merrem me riparime televizorësh, kasetofonësh etj. S

ot i bëj apel atij që ka mundësi për të më ndihmuar për këtë gjë. Unë i jam drejtuar çdokujt që kam ditur deri më sot, ndërsa sot jam detyruar për t’u drejtuar tek emisioni “STOP”.

Redaksia e “STOP” iu drejtua Gjendjes Civile, në Njësinë Administrative Rrethinat të Bashkisë Shkodër, por edhe pse ditë zyrtare pune, ky institucion ishte i mbyllur.

Ndërkohë, Kryetari i Njësisë Administrative, Vlash Pjetri, shprehet se është në dijeni të rastit të Alfonsit dhe gjendjes së vështirë ekonomike që ka babai i tij.

14882186_1361882817164937_6325272581318922570_o

"Problemi në fjalë, se pse nuk regjistrohet fëmija është me ligj, që Gjendja Civile nuk mund të regjistrojë një fëmijë duke pasur vetëm njërin prej prindërve. 

Pra duhet një deklaratë ose një prokurë nga e ëma. Rasti konkret është që e ëma e tij nuk dihet ku është dhe Gjendja Civile nuk mundet që ta regjistrojë sepse e ka me ligj, pa patur një prokurë nga e ëma ose një vendim gjykate për kujdestarinë e fëmijës. Ai gjendjen ekonomike e ka të vëshirë, nuk e di pse nuk shkon në gjykatë. I jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe nuk kemi marrë përgjigje. Faktikisht unë nuk e kam vënë në dijeni Kryetaren e Bashkisë Shkodër, për këtë rast sepse kemi pritur të na vijë një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Pastaj, të shikojmë të mbledhim nëpër bisnesmenë, apo stafi këtu i Bashkisë që mund të kontribuojë me diçka të vogël, që ai të përballojë edhe gjyqin, por edhe të marri kujdestarinë e fëmijës".

14939428_1361880980498454_4558637584292266434_o

Alfonsi sot është në klasë të dytë dhe ashtu si çdo fëmijë, ai dëshiron të bëhet dikush në jetë. 7 - vjeçari ka dëshirën që në të ardhmen të bëhet futbollist... /tvklan.al





Të ngjashme