STOP/ Të marrësh nënshtetësinë shqiptare nuk është e lehtë
Çdo shtetas i huaj që dëshiron të marrë nënshtetësi shqiptare duhet të plotësojë një sërë dokumentesh dhe t’i dorëzojë ato në Komisariatin më të afërt të Policisë në qytetin ku banon. Brenda një muaji pas afatit ligjor, këto dokumente përcillen drejt Ministrisë së Brendshme dhe është kjo e fundit që brenda 6 muajve duhet t’i dërgojë këto dokumente për dekret tek Presidenti i Republikës.
“Në 2010 –ën jam njohur me një vajzë shqiptare nga Maqedonia. Sot kemi kurorë. Gjatë këtyre viteve e kam mbajtur me leje qëndrimi, siç e ka ligji, që çdo shtetas i huaj duhet të ketë leje qëndrimi dhe gjatë këtij viti më lindi e drejta që të aplikoja për nënshtetësi shqiptare. Tani me fillimin e këtyre letrave kam hasur një pengesë shumë të madhe, të cilën edhe sot e kësaj dite nuk po e kuptoj ku është. Këto letrat unë i kam filluar në Shkurt të 2016 –ës. Rifillimin e kam nisur pasi më ka ardhur një shkesë zyrtare nga Ministria e Rendit, ku më cilësohej rikthimi i tyre sepse duheshin me dy mbiemra. I fillova sërish dokumentet, që t’i merrja me dy mbiemra. Pasi i plotësova i dorëzova në Komisariatin e Elbasanit. Pasi i panë aty më thanë tani janë të gjitha në rregull, mund t’i nisim për në Ministrinë e Rendin. Para disa ditësh më kontaktoi një polic nga rrethi i Gramshit dhe më tha se ka ardhur një letër nga Presidenti. Një dokument për kthimin e dokumenteve mbrapsht, të cilin e kam lexuar dhe më thonë se ka kaluar afati i dokumenteve që unë kam paraqitur në Komisariatin e Policisë së Elbasanit. Dua të di ku është kjo pengesë, përse jam penguar për këto letra? E dyta, e kjo është akoma më kryesore, sepse unë i bëra për herë të dytë këto letra e do i bëj sërish për herë të tretë, po unë kam frikë si qytetar se do të ndodhë e njëjta gjë. Dua të di ku flejnë? Diku flejnë këto letra që u kalon afati, sepse nuk e di, nuk ka mundësi tjetër.”
Institucioni i Ministrisë ka përcjellë dosjen tek Presidenti i Republikës. Është kthyer një përgjigje nga Presidenti për mospranim të kësaj kërkese dhe mbështetur në nenin 20 të ligjit, Presidenti brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës të Ministrisë, nxjerr dekretin përkatës, ose në rast se kërkesa nuk është e plotë, materiali rikthehet për t’u plotësuar nga Ministria e Rendit Publik, brenda një muaji nga dita e paraqitjes. Deri këtu, Presidenti nuk ka pasur asnjë shkak ligjor për t’a kthyer kërkesën sëbashku me praktikën në MPB, sepse i gjithë materiali është i plotë .”
Përse është kthyer? Sepse në shkresën që disponoj unë thuhet se dokumentet janë jashtë afateve të përcaktuara në ligj, çfarë nënkuptojmë ne me këtë?“Përderisa në kthimin e përgjigjes nga Presidenti nuk ka një bazë ligjore, ku edhe ne të shikojmë se çfarë afatesh kemi shkelur, ateherë presupozohet që dosja dhe kërkesa është e plotë.”
Kur ia keni dorëzuar kërkesën Presidentit?“Më datë 30 Nëntor të 2016 –të. Presidenti mund ta kthejë kërkesën vetëm në rast se i mungon një nga dokumentet”.
Në thonjëza, fajtor në këtë rast kush është? “Nuk mund të vë gishtin, Ministria e Brendshme e ka kryer me rigorozitet të gjithë procedurën. Të vihet në lëvizje tani nga qytetari, ka formë ligjore për të vënë të drejtën e tij në vend.”
Në fund, drejtuesit e “STOP” i bënë thirrje të dyja institucioneve përkatëse, si Ministrisë së Brendshme ashtu edhe institucionit të Presidentit të Republikës, që t’i japin një zgjidhje këtij ngërçi, në mënyrë që qytetari të marrë zgjidhje për problemin e tij./tvklan.al