STOP/Masakra mjedisore, kompania Aktor shkel haptazi ligjin
Në emisionin e sotëm investigativ “STOP” është denoncuar masakra mjedisore që po i bëhet bimësisë së zonës ku po ndërtohet autostrada Tiranë - Elbasan.
Punimet për vazhdimin e kësaj autostrade kanë bërë që tonelata masive dheu të hidhen në anë të rrugës prej kompanisë “Aktor”, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore në zonën e pyllëzuar. Pamjet e transmetuara nga emision “STOP” dokumentojnë shkatërrimin masiv të pemëve dhe të mjedisit. Gazetarët kanë kontaktuar në vendin e punimeve më përfaqësues të Inspektoratit të Mjedisit, që kanë deklaruar se, veç gjobës administrative të ndërmarrë nga ky Inspektoriat, kompanisë i është dhënë dhe urdhëri për pezullimin e punimeve të pjesshme. Sipas tyre, ata i kanë dërguar dhe një kërkesë Bashkisë së Tiranës dhe kjo e fundit i ka dërguar një shkresë subjektit “Copri - Aktor”, ku i kërkon që, përpara fillimit të punimeve, të plotësohen të gjitha detyrimet që parashikon ligji. Sipas shkresës së dërguar nga Taulant Tusha, Drejtor i Punëve Publike për subjektin “Copri - Aktor”, thuhet se depozitimi i inerteve do të fillojë vetëm kur të ketë një miratim të vlerësimit të impaktit social dhe mjedisor, të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Kështu, kompania në kundërshtim të plotë me ligjin, duke mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat e dy institucioneve të rëndësishme, ka vijuar të depozitojë inerte duke shkaktuar një masakër mjedisore. Inspektoriati i Mjedisit, pasi ka konstatuar në terren shkelje të kompanisë “Copri - Aktor”, për detyrat e lëna nga inspektimi i mëparshëm, ka vendour për këtë kompani një masë administrative prej 1 milionë lekë të reja. /tvklan.al