“STOP”/Pamje shokuese të katastrofës mjedisore në Mullet
Skandali mjedisor që po bëhet gjatë ndërtimit të autostradës Tiranë –Elbasan nga ana e firmës “Aktor”, vijon të thellohet.
Emisioni investigativ “STOP” në Televizioni Klan, ka pasqyruar sot pamjet shokuese të katastrofës mjedisore që ka shkaktuar kjo kompania, në kundërshtim të plotë me ligjin, duke shndërruar mijëra metra katror sipërfaqe pyjore të mbrojtur nga shteti, në pirgje dherash. Gjatë programit janë transmetuar pamje të xhiruara nga ajri me dron, ku duket qartë se sa e tmerrshme është masakra mjedisore që po bëhet në këtë zonë. Saimiri dhe Genti kanë treguar se si kanë qenë më parë mijëra sipërfaqe me pyje dhe bimësi dhe se si janë shndërruar ato sot. Kompania “Aktor”, në kundërshtim të plotë me ligjin, ka shkelur të gjitha kushtet e punës që gjenden në lejen mjedisore të dhënë në 23 Korrik të vitin 2013, nga ana e Agjencisë Mjedisore Shqiptare, ku saktësohen qartimisht se:“Rikonstruksioni i kësaj rruge të bëhet vetëm në segmentin e kërkuar dhe pa dëmtuar mjedisin përreth. Të merren masa teknike dhe organizative për zbutjen e ndikimeve në mjedis, të gjeneruar nga ana e operacioneve të gërmimit dhe prodhimit të dherave.
Të merren masa për kontrollin e erozionit ujor dhe eror të mundshëm, gjatë fazës së ndërtimit. Masa e dheut që do të dalë gjatë gërmimit, të sistemohet përreth ose të ruhet më qëllimin e rehabilitimit”
. Pavarësisht detyrimi ligjor që mbart kjo leje mjedisore për këtë kompani, krejt e kundërta duket në realitet, ku pamjet denoncojnë katastrofën që po ndodh, vetëm pak kilometra larg kryeqyetit.../tvklan.al