“STOP”/Përmbarim privat apo zyrë mashtrimi?!
Rudina Toska është një qytetare, e cila denoncon në “Stop” një rast të paprecedent me një studio përmbarimi. Pasi u largua nga Ministria e Shëndetësisë fitoi të drejtën e dëmshpërblimit nga ky dikaster. Për të ekzekutuar vendimin e shlyerjes së parave lidhi kontratë me studion e përmbarimit “Dominus”.
Por rastësisht, Rudina mëson nga sigurimet shoqërore, se për rastin e saj janë disbursuar nga thesari i shtetit 31 milionë lekë, shumë që ka përfunduar për llogari për zyrës përmbarimore.Në këtë moment nis një kalvar denoncimesh dhe ankimesh dhe krimi ekonomik ndalon bashkëshortët që kanë zyrën, ndërsa ministri i drejtësisë u pezullon atyre licensën. Në mënyrë të çuditshme Prokuroria e Tiranës mbyll çështjen, duke hedhur poshtë qëndrimin e krimit ekonomik dhe ministrit të drejtësisë...!“Historia ime fillon në vitin 2010. Pasi kaloi shumë kohë duke firmosur, duke vulosur, duke hequr, duke shtuar në dosjen përmbarimore dhe unë nuk pashë ndonjë të ardhur, unë aksidentalisht ndodhem në zyrën e “Sigurimeve Shoqërore” dhe bëj një pyetje shumë të thjeshtë, sepse ndërkohë që diskutohet marrja e pagës, përmbaruesi gjithmonë kur bënte llogaritë thoshte: “minus sigurimet shoqërore”.
Unë pyes punonjësen e sigurimeve: “Nëqoftëse paguhen pagat, mbahen sigurimet?”
"Edhe ajo më thotë: - ti mund ta shikosh tek Thesari dhe nuk mbahet asnjë sigurim, paga kalon neto. Atëherë i drejtohem Thesarit me bindje të plotë që nuk kishte kaluar asnjë lek dhe marr vesh e shokohem tek Thesari, sepse ky i fundit kishte kaluar rregullisht në numrin e llogarisë të shoqërisë përmbarimore “Dominus”, për Rudina Toskën, pra të gjitha shumat kishin kaluar rregullisht.”
Më pas Rudina Toska në lidhje me këtë ngjarje bëri një denoncim!“Pas shumë tratativash që këtë çështje ne ta zgjidhnim në mënyrë civile, ashtu siç edhe e nisëm dhe duke parë që ishte e pamundur, sepse filluan edhe shantazhet nga ana e tyre, me njohje, me njerëz që i kishim të përbashkët, atëherë unë vendos që t’i drejtohem gjykatës së rrethit me një padi. Menjëherë pasi zyra përmbarimore njoftohet, i shkon fletë-thirrja për gjyq. Unë njoftohem nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr. ,3 se në emrin tim ishte bërë një kallëzim penal. Në datën 9 prill është depozituar padia në gjykatën e rrethit Tiranë dhe në datën 20 prill është bërë një kallëzim për vepër penale të vjedhjes së procesverbaleve. Në dritë dalin dy procesverbalë, të cilët unë ia paskam vjedhur zotit Shutina, në zyrë dhe në këto procesverbalë, vërtetohet që unë i kam marrë mjetet monetare. Për procesverbalet unë dëgjoj pas tetë muajsh në gjykatë, në seancë gjyqësore, që zoti Muharrem Shutina i kishte gjetur dy procesverbalet, për të cilët mua më kallëzoi penalisht.”
Ish punonjësa e Ministrisë së Shëndetësisë nëpëmjet një ankese drejtuar Krimit Ekonomik dhe me një email Ylli Manjanit, Ministrit të Drejtësisë, i cili pa e parë kurrë Rudinën, ngre një grup kontrolli dhe i heq licencën “Dominus”./tvklan.al