STOP/Qentë e rrezikshëm lëvizin lirshëm në kryeqytet
Emision investigativ "STOP", në Televizionin Klan ka risjellë dhe një herë në vëmendjen e publikut, një problematikë shumë të madhe, atë të qenve agresivë, që lëvizin lirshëm në Tiranë pa maska mbrojtëse.
Kamera e "STOP" ka bërë një vëzhgim në Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, ku sapo është ngritur dhe një park për fëmijët, e ku qen të rracave të ndryshme, edhe ato më të rrezikshme, lëvizin lirshëm pa maska, edhe pse ka një vendim të Bashkisë së Tiranës, i cili ndalon hyrjen e tyre pa maska. Pamjet flasin qartë. Qentë të rracave nga më agresive si pitbull, rodvalier, etj, vrapojnë dhe shëtisin pa maska, në një park ku çdo ditë qëndrojnë fëmijët e vegjël. Madje një prej pronarëve të një qeni pitbull, pranon se nuk mund t’i garantojë dot qytetarët për sigurinë e tyre, pasi e di që pitbullët janë agresivë. E njëjtja situatë shfaqet edhe në Parkun Rinia, në qendër të Tiranës. Edhe aty qentë qëndrojnë pa maska mes njerëzve, në mes të qytetit. Ka dhe nga ata të zotë që thonë për mikrofonin e "STOP", se nuk janë në dijeni të një ligji që i ndalon qentë të lëvizin pa maska në qytet. Qytetarët nga ana tjetër tregojnë se ndihen të rrezikuar nga qentë pa maska mbrojtëse që lëvizin lirshëm. Prindërit, krahas frikës për veten, shprehen shumë të shqetësuar për fëmijët e tyre, të cilët traumatizohen. Të rrezikuar janë dhe ata që kryejnë aktivitet fizik, si vrapi apo ecja. E habitshmja në të gjithë këtë panoramë është që 2 policë bashkiakë, që operojnë si patrullë në Parkun e Liqenit, thonë se nuk kanë parë raste që qentë të lëvizin pa maska, por nëse do të shikojnë do t’u vendosin gjoba. I pyetur për këtë çështje, mjeku Gent Stroni, tregon për shifrat alarmuese që drejtohen në QSUT vetëm nga qyteti i Tiranës dhe rrethinat e saj. Mesatarisht, thotë Stroni, janë 4 ose 5 raste në ditë, të personave të kafshuar nga qeni, ndërsa shpjegon se gjatë periudhës pranverë - verë, rastet shtohen. Mjeku thekson se ka patur dhe plot raste të kafshimit të qenit brenda familjes që e zotëron, veçanërisht rracat agresive. Madje këto janë raste me dëmtime të rënda. Në fund të gjithçkaje, kur institucionet duhet të tregohen më të rrepta për zbatimin e ligjit, një apel qytetar vjen për të gjithë ata që kanë në zotërim një qen. Vendosni maska, kjo mund të evitojë një tragjedi tek një fëmijë, i moshuar, burrë apo grua, e që mund të shkaktojë një konflikt edhe më të rëndë./tvklan.al