Studentët rikthehen në grevë urie (17 Dhjetor 1998)
Sot në mesditë grevistët janë rikthyer sërish në ambientet e kinoklubit nga ku u nxorën forcërisht orët e para të mëngjesit. Nuk dihet nëse futja e tyre në godinën e super ruajtur vjen si pasojë e kapjes në befasi të Forcave të Rendit apo për një arsye tjetër. Por fakti është se me futjen e një pjese të grevistëve në godinë, gardhi i uniformave blu i formuar para pak çastesh, ka lënë jashtë pjesën tjetër.
Gjithsesi, rrethimi i kinoklubit, nuk ka zgjatur shumë. Me largimin e forcave të policisë, numri i të cilave i kalonte të 30 vetët, edhe kamera ka mundur të ngjitet sëbashku me pjesën tjetër të studentëve, në katin e dytë të godinës nga e cila hapej deri poshtë në rrugë, aroma shpuese e klorit.
Në këtë sallë e cila tani duket e shpërfytyruar, sipas studentëve kanë ardhur në mëngjes herët forcat e policisë dhe i ka nxjerrë jashtë duke mos pyetur as për të sëmurët në dhomën e infermerisë. Prej aty studentët janë dërguar në spitalin ushtarak, për t’u shpërndarë më pas në rrethinat e Tiranës.
Tani ata janë rikthyer sërish për të vazhduar grevën e lënë përgjysëm e cila sapo ka hyrë në ditën e saj të tetë. Në orët e drekës, kanë mbërritur dhe njerëzit e mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe lideret e Partisë Demokratike sëbashku me kryetarin Sali Berisha. Ata i kanë shprehur mbështetjen e tyre studentëve dhe u kanë ndenjur pranë deri në orët e pasdites./tvklan.al