Studentët e Gjeografisë ekspeditë në Kosovë – (4 Qershor 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Sot në mëngjes 12 studentë dhe 12 pedagogë të degës së Gjeografisë në Universitetin e Tiranës, u nisën për të realizuar ekspeditën e parë gjeografike në Kosovë dhe në Maqedoni. Si parapërgatitje e ekspeditës shërbeu edhe aktiviteti shkencor me temë “Kosova dhe viset e tjera shqiptare në këndvështrimin e sotëm”, i cili u organizua përpara dy ditësh në fakultetin e Histori-Filologjisë.
Nëpërmjet referimeve shkencore, studentët krijuan një ide të parë mbi zonat me të cilat ata do të njihen për një javë nga afër. Qëllimi i kësaj ekspedite është jo vetëm njohja e aspekteve natyrore dhe të zhvillimit ekonomik, kulturor e social, por edhe fillimi i një bashkëpunimi midis degës së Gjeografisë këtu dhe homologes së saj në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë kësaj ekspedite grupi do të njihet nga afër me pasuritë e shumta natyrore që paraqet Kosova. Përsa i përket nëntokës së saj atë mund ta krahasosh me zona të tilla të pasura si Ruri i Gjermanisë. Për gjashtë ditë grupi do të vizitojë Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Skënderajn, Prishtinën etj. Në këtë mënyrë edhe gjeografët shqiptarë pritet të japin ndihmesën e tyre për njohjen e pjesës tjetër të kombit tonë./tvklan.al
Gazetare – Genta Popa