Subvencione për fermerët që arrijnë standardet e prodhimit
Shqipëria po zbaton një strategji të njëjtë me atë të vendeve të rajonit për të rritur prodhimin e produkteve bujqësore. Në mënyrë që standardet e cilësisë të jenë të linjës së parë dhe kostoja të jetë më e ulët, Ministria e Bujqësisë do të subvencionojë çdo kilogramë të prodhimeve bujqësore të përzgjedhura si prioritare me para në dorë për fermerin, në mënyrë që të stimulojë arritjen e standardeve dhe konkurrimin në treg të produktit vendas.
Kjo sipas ministrit Niko Peleshi është pjesë e planit bujqësor kombëtar dhe do të shtojë ndjeshëm edhe punësimin. Ministria e Bujqësisë ka bërë gati skemën e subvencioneve. Në total janë 94 milion euro fonde që do të jepen vetëm gjatë këtij viti.
Në të njëjtën linjë qeveria ka nisur edhe një reformë në sektorin e mishit dhe të ujit, nga një anë për të mbrojtur konsumatorin nga prodhimet e pakontrolluara dhe që nuk respektojnë standardet e sigurisë ushqimore, por po ashtu edhe të arritur kriteret që fermerët shqiptarë të përfitojnë nga fondet që jep Bashkimi Europian në këtë sektor.
Tv Klan