Suedia e lufton ndryshe koronavirusin


Suedia e lufton ndryshe koronavirusin

23:59 24/04/2020

Epidemiologët: Njerëzit duhet të krijojnë imunitet ndaj virusit!

Suedia vijon të jetë e kundërt izolimit në krahasim me vendet e tjera në të gjithë Evropën që kanë marrë masa shumë të rrepta për frenimin e Covid-19.

Në vend aktualisht numërohen 2021 viktima dhe afro 17 mijë të infektuar. Sipas epidemiologut Anders Tegnell kufizimet e vogla dhe ekspozimi më i madh i njerzëve krahasuar me vendet e tjera mund të ndikojë që Suedia t’i bëjë ballë akoma më lehtë edhe një vale të dytë pandemie.

Sipas Tegnell, sistemi shëndetësor suedez është në gjendje që t’i përballojë rritjes së numrit të të infektuarve. Ai vlerëson se si pasojë e ekspozimit të madh të qytetarëve, deri tani niveli i imunitetit mund të ketë arritur te 15-20% e popullatës në Stokholmit.

Nëse mbështet ky skenar i epidemiologut Tegnell atëherë popullsia e Suedisë do të fitojë imunitetin total në muajin Maj.

Kryeministri Stefan Lofven u ka kërkuar qytetarëve që të tregojnë shumë kujdes dhe të mbajnë përgjegjësi që mos të rrezikojnë jetën e të tjerëve. Sondazhet tregojnë se shumica e mbështet këtë qasje të qeverisë.

Suedia vijon t’i mbajë të hapura restorantet, kafenetë, njerëzit mund të dalin shëtitje, por me një orar më të kufizuar se më parë. Vetëm universitetet dhe shkollat e mesme kanë mbyllur dyert, ndërsa shkollat fillore vijojnë mësimin normalisht.

Sipas qeverisë izolimi total mund të përdoret vetëm për individët e prekur ose zona të caktuara si shkollat ose hotelet, pasi ligjet suedeze nuk e parashikojnë karantinimin total të qyteteve.

Klan Plus






Të ngjashme