Masakër në Las Vegas, 58 të vrarë e mbi 500 të plagosur


Masakër në Las Vegas, 58 të vrarë e mbi 500 të plagosur

15:55 02/10/2017

Këto janë momentet e terrorit që përjetuan qindra të pranishmit në koncertin e muzikës Country, mbrëmjen e së dielës në Las Vegas.

Autoritetet amerikane vijojnë të numërojnë viktimat, bilanci i të cilëve për fat të keq po rritet. Aktualisht janë të paktën 58 të vrarë e mbi 500 të plagosur, disa dhjetëra prej tyre në gjendje kritike për jetën.

Autori i masakrës është Stephen Paddock, ky që shihni në këtë foto.

Ai hapi zjarr nga kati i 32-të i një ndërtese pranë zonës ku po mbahej koncerti. 64-vjeçari u gjet i pajetë në dhomë, me dhjetëra armë e municione pranë tij. policia beson se ai ka vrarë veten.

Policia është vënë në kërkim të Marilou Danley, një grua aziatike, e cila besohet se është e dashura e agresorit dhe ishte në shoqërinë e tij në momentin e sulmit.

Paddock ishte një person pa precedentë penalë. Policia amerikane vijon të këmbëngulë se ngjarja e rëndë nuk ka lidhje me terrorizmin islamik, por ISIS përmes agjencisë zyrtare të lajmeve mori përsipër sulmin, duke njoftuar se Paddock kishte pak muaj që ishte konvertuar në islamist. Detaj që konfirmohet edhe nga disa media amerikane.

Në një intervistë për CNN, vëllai i tij Eric u shpreh thellësisht i tronditur. Për ne është si një asteroid i rënë nga qielli tha ai.

Presidenti amerikan Donald Trump doli në një konferencë për shtyp, duke e përshkruar ngjarjen si të tmerrshme.

“Ishte një akt qartësisht mizor. Familjarëve të viktimave u them se po lutemi për ju dhe ju gjendemi pranë. Në kujtim të viktimave flamuri ynë i shkëlqyer do të valëvitet në gjysmë shtizë. Unë do të jem të mërkurën në Las Vegas. Në momente tragjedish, Amerika bashkohet në një, sikurse ka qenë gjithmonë.”

Masakra e së dielës nxit sërish debatin e ligjit të fortdebatuar për armëmbajtjen në SHBA. Ish-kandidatja për presidente Hilari Klinton bëri thirrje se ai ligj duhet menjëherë të rishikohet. Ndërkohë në një moment ku frika kolektive ka arritur majat, ndërmarrje e prodhimit të armëve shënojnë rritje në bursa.

Sulmi në Las Vegas është më i rëndi në Shtetet e Bashkuara që prej atij të Orlandos të qershorit të vitit të kaluar, ku një terrorist i ISIS sulmoi një klub homoseksualësh, duke shkaktuar 49 viktima e 58 të plagosur./Tv Klan

    





Të ngjashme