Sulmi ndaj gazetares, Basha-Ramës: Do mbash përgjegjësi po ju prek një fije floku


Sulmi ndaj gazetares, Basha-Ramës: Do mbash përgjegjësi po ju prek një fije floku

14:57 30/08/2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dënuar ashpër sulmin me armë që iu bë banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala. Në një dalje për mediat nga selia blu, Basha deklaroi se sulmi ishte mesazh mafioz për gazetaren.

Sipas tij, kjo erdhi pasi gazetarja zbuloi lidhjet e deputetit të PS Jurgis Çyrbja me Emiljano Shullazin.

Krydemokrati paralajmëroi gjithashtu Kryeministrin se do të mbajë përgjegjësi nëse gazetares Lala apo kujtdo gazetari tjetër, do t’i ndodhë një sulm i tillë.

“Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë, kush nuk i bindet urdhrave e ka fundin e shpejtë. Dua të shpreh mbështetjen time për Klodiana Lalën, për çdo gazetar. Dua t’u them atyre që refuzojnë të qeverisen nga krimi se keni vetëm një ërrugë, duhet të qëndrojmë, duhet të luftojmë, duhet të përballemi. Sa herë media hesht, krimi triumfon”

, u shpreh Lulzim Basha.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:

Në vendin tonë të vogël të stërmunduar nga varfëria dhe korrupsioni, sot u realizua edhe ajo pjesë e skenarit që u ndodh vendeve që sundohen nga krimi: një gazetar që zbulon lidhjet e mafias me qeverinë, sulmohet me armë.

Familja e gazetares Klodiana Lala është sulmuar sot herët në mëngjes me breshëri automatiku dhe plumbat kanë goditur dhomën ku flenë vajzat e saj në shtëpinë e gjyshes së tyre.

Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë:se kush del nga rreshti, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë.

Dua të shpreh vendosmërisht mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike për çdo gazetar të papërkulur nga krimi, të pablerë nga kjo qeveri që, prej 5 vjetësh, nuk u shërben qytetarëve, por bashkëqeveris me krimin.

Dua t’u them atyre, familjeve të tyre dhe çdo shqiptari që refuzon të qeveriset nga krimi, se kemi vetëm një rrugë për ta fituar betejën: duhet të qëndrojmë!

Sa herë media hesht, krimi triumfon!

Sa herë shoqëria hesht, krimi na qeveris!

Ne ia kemi dalë të largojmë nga parlamenti dhe nga bashkitë e vebdit disa dhjetëra kriminelë, me të cilët Edi Rama erdhi në pushtet, por fitorja nuk është akoma në anën e shoqërisë.

Edi Rama i ka zëvendësuar kriminleët që dekriminalizimi I nxorri jashtë Parlamentit me të emëruarit e kriminelëve.

Sulmi me armë ndaj gazetarës Klodiana Lala, e cila së fundmi nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se krimi ndjehet i paprekshëm!

Dhe kjo është e vërteta e hidhur! Prej 5 vjetësh krimi po triumfon, sepse ai bashkëqeveris me Edi Ramën!

Falë bashkëqeversijes me Ramë, këto 5 vjet Krimi kontrollon kupolen e policise dhe ministrine e bremdshme.

Prej bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, sot Shqipëria nuka ka polici, nuk ka prokurori, nuk ka gjykata.

Prandaj shantazhohen gjyqtarë, qëllohen me armë gazetarë, qëllohen biznesmenë, dhunohen e përdhunohen e grabiten qytetarë nga shtëpitë e tyre.

Edi Rama të lërë lotët e krokodilit dhe të gjejë autorët e sulmit mafioz me armë kundër gazetarës Klodiana Lala!

Le të thërrasë banditët e vet brenda dhe jashtë burgut, le të flasë me horrat e vet brenda dhe jashtë parlamentit dhe të gjejë mafiozët që, nën mbrojtjen e qeverisë së tij, guxojnë të përdorin armë kundër gazetarëve që zbulojnë lidhjet e krimit me qeverinë e Edi Ramës.

Sot, kam edhe një mesazh për Edi Ramën: do të mbahesh ti përgjegjës i vetëm, nëse gazetares Klodiana Lala, familjes së saj, çdo gazetari që nuk ha bukën tënde apo çdo opozitari me qeverinë tënde i preket qoftë edhe një fije floku nga horrat dhe krimi që ke nën urdhra!

Mesazhi im për cdo qytetar është se sa kohë kryeministri i vendit është i lidhur me krimin, Shqipëria do jetë në mëshirën e bandave. Me të mirat dhe të këqijat tona, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të çlirohemi nga krimi që qeveris vendin. /

tvklan.al






Të ngjashme