Sulmi në Paris, detaje për xhihadisten franceze


Sulmi në Paris, detaje për xhihadisten franceze

14:43 11/09/2016

Një nga 4 vajzat xhihadiste, të arrestuara të premten në operacionin anti-terror në Paris, ka tërhequr në veçanti vëmendjen e hetuesve francezë.

Kryeprokurori i Parisit, Fronsua Molin, tha për mediat se 23-vjeçarja Sarah Hervouwt i ishte premtuar për grua një tjetër terroristi francez, Larossi Aballa, 25-vjeçarit që vrau më 13 qershor çiftin e oficerëve të policisë, në banesën e tyre.

Me vrasjen e tij nga policia, mësohet se vajza terroriste i ishte premtuar vrasësit të priftit Zhak Hamel, në Normandi më 26 korrik.

Këto të dhëna dëshmojnë lidhjet mes celulës së grave terroriste dhe terroristëve besnikë të Shtetit Islamik, thanë hetuesit francezë.

Sipas mediave në Francë, në banesën e njërës prej të arrestuarave u gjet një letër, ku shprehej angazhimi ndaj ISIS.

Inés Madani, 19 vjeç, Ornella Gilligman, 29 vjeç, Amel Sakaou, 39 vjeç dhe Sarah Hervouët, 23 vjeç, konsideroheshin nga inteligjenca franceze si persona me dosjen “S”, që në kodin antiterrorist francez do të thotë që cënojnë sigurinë kombëtare.

Ato kanë lidhje me makinën e braktisur dhe të mbushur me bombola gazi që u gjet pranë katedrales Notre-Dame, në zemër të Parisit.

Hetuesit njoftuan se shënjestra e tyre ishte “Gare de Lyon”, një nga stacionet më të populluar hekurudhorë në kryeqytetin francez./ TV KLAN






Të ngjashme