Superliga luan edhe të mërkurën


Superliga luan edhe të mërkurën

23:07 08/12/2020

Teuta pret Partizani, Tirana përballet me Laçin

Superliga do të luajë ndeshjet e saj të radhës në mesjavë. Ngjeshja e kalendarit ka bërë që takimet të zhvillohen brenda pak ditësh, ëka ka kushtëzuar gjendja fizike të lojtarëve.

Partizani do të luajë në fushën e Teutës. Të dy ekipet kanë mbrojtje të konsoliduar dhe për trajnerin e të kuqve Ilir Daja sfida mund të vendoset edhe nga një rast i vetëm.

“Ndeshja mund të zgjidhet me episode, pasi u bënë disa ndeshje radhazi dhe u pa që po shënohet pak javën e kaluar. Kondicioni nuk është ai i fillimit të kampionatit”, tha Daja.

Ekipet janë ende pranë me pikë. Te Tirana që do të luajë këtë të mërkurë në fushën e Laçit mendojnë se do kohë që te veçohen skuadrat që do të garojnë për objektiva të rëndësishëm.

“Ky kampionat ka një specifikë që kur të mbarojnë 9 javët e para mund të konturohen pak ekipet. Mesi ose fundi i fazës së dytë do konturojë çdo gjë tjetër”, tha trajneri Dede.

Në takimet e tjera të javës së shtatë Vllaznia kryesuese do të sfidohet nga Kastrioti. Kukësi do të luajë në Ballsh me Bylisin, ndërsa Apolonia e vendit të fundit do të presë Skënderbeun.

Tv Klan






Të ngjashme