Superliga, luftë për titullin dhe mbijetesën


Superliga, luftë për titullin dhe mbijetesën

15:00 07/05/2017

Kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund të kampionatit, gara për mbijetesë është po aq e fortë sa ajo për titullin kampion. Asnjë ekip përveç Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut nuk ka shpëtuar matematikisht. Më në rrezik për të ndjekur Korabin në Kategorinë e parë janë Tirana dhe Laçi, që kanë nga 32 pikë. Bardheblutë humbën 2 – 0 në Vlorë, ndërsa kurbinasit fituan po 2 – 1 me Luftëtarin. Trajneri i Tiranës, Mirel Josa thotë se duhet në ndryshim.  

Mirel Josa (Trajner i Tiranës)

Rreziku është në prag. Ne duhet të mendojmë të bëjmë diçka, por ndryshimet do të jenë me pikatore.

Shpëtim Duro mori 3 pikë të tjera me Flamurtarin, por ende duhet kohë për të qenë të sigurtë. Megjithatë atë e kënaq loja sigurtë e ekipit të tij.

Shpëtim Duro (Trajner i Flamurtarit)

Ajo që më kënaq përveç pikëve është se skuadra ka pësuar vetëm 2 gola në këto takimet e fundit.

Fitore në limit e Skënderbeut 4 – 3 me Vllazninë, duke iu afruar rivalëve për titullin, Kukësit dhe Partizanit që barazuan 1 – 1 të premten. Në mesjavë do të zhvillohet xhiro e 33 e Superligës, ku çdo pikë vlen për objektivin final.

Tv Klan






Të ngjashme