“Çukur”, së shpejti në Klan Plus
Klan Plus ka siguruar të drejtat televizive të serialit të ri më të suksesshëm të vitit në Turqi. “Çukur” (Gropa) është emri i një prej lagjeve më të rrezikshme të Stambollit, ku të gjithë njerëzit e cilësojnë njëri-tjetrin anëtarë të një familjeje të madhe që mbijetesën e siguron nga paratë e krimit.
Një histori rrëqethëse mbi dashurinë, familjen dhe komunitetin, bazuar tek një i ri që rikthehet në lagjen e tij të vjetër për të zëvendësuar të atin si kreu i një klani kriminal. “Çukur” tregon historinë e Yamaçit nga familja influente Koçova që sundon Çukurin. Kur Yamaç takon Sena-n, ai bie në dashuri me të dhe martohet brenda pak ditësh. Në momentin që Yamaç mendoi se do të fillonte një jetë të re me njeriun e zemrës, me tyre futet familja e tij, të cilën e kishte lënë pas për të jetuar i vetëm për disa vite me radhë. A do ta ndjekë Sena Yamaçin në Çukur, ku ai do të vendoset në krye të familjes që rrezikon zhdukjen përballë armiqve të ashpër? Seriali është prodhuar nga kompania e mirënjohur e produksionit “Ay Yapim” me yjet Aras Bulut Iynemli në rolin e Yamaçit dhe Dilan Çiçek Deniz në rolin e Sena. “Ay Yapim” ka prodhuar edhe superserialet “Kuzey Guney”, “I Infiltruari”, etj. Skenaristi i serialit, Gökhan Horzum, në një intervistë thotë se “Çukur” është historia e një familjeje, një familjeje që nuk përfshin vetëm babanë, nënën dhe fëmijët, por të një lagjeje të tërë, e cila bazohet mbi vlerat e vëllazërisë, solidaritetit dhe përkushtimit të pakushtëzuar. Megjithëse zhanri i serialit mund të thuhet se është krimi, ai përzihet me romancë, emocion, intrigë, tradhti dhe një dozë komedie. Pas një viti tepër të suksesshëm me rekorde audience në ditën e tij të transmetimit, Çukur pritet të nisë së shpejti sezonin e tij të dytë në kanalin televiziv “Show Tv”. “Çukur” është shitur në shumë shtete ndërsa së shpejti do të nisë transmetimin edhe në Kili./tvklan.al