“Tageszeitung”: Të pashmangshme zgjedhjet e reja në Kosove


“Tageszeitung”: Të pashmangshme zgjedhjet e reja në Kosove

16:40 08/08/2017

Kriza politike në Kosovë nuk shihet aspak me optimizëm në analizat e mediave gjermane. Në një shkrim në të përditshmen “Tageszeitung” shprehet shqetësimi se kjo krizë mund ti japë një goditja planeve të Bashkimit Europian për të integruar Kosovën.

Frika është se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja, pasi grupi i ish-komandantëve të UÇK-së, siç e kanë quajtur mediat e huaja, koalicionin mes Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, nuk i siguron dot 61 votat e nevojshme për të krijuar një qeveri të kryesuar nga Ramush Haradinaj.

Nëse do të shkohet në zgjedhje të reja – shkruan Tageszeitung – përfitime do të kishte Lëvizja Vetëvendosje. Kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti shihet nga institucionet europiane në Kosovë si kundërshtar i procesit të përafrimit të Kosovës me Serbinë. Një proces që po nxitet nga Brukseli përmes negociatave që kanë për qëllim zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve dhe antarësimin e plotë të tyre në Bashkimin Europian.

Tageszeitung kujton se një prej projekteve europiane që kundërshtohet fuqishëm nga Albin Kurti është Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë. Sipas tij, ky është një organ gjysmë-autonom që do ta fuste Kosovën në “statusquo” siç ka ndodhur me Bosnjen pas kantonizimit të vendit. Një proces që pavarësisht qëllimit të mirë, nuk i ka shuar konfliktet mes etnive.

Por, sipas gazetës gjermane, institucionet ndërkombëtare po ndërrojnë mendim për Kurtin, duke mos e etiketuar më si nacionalist e marksist, pavarësisht se një fitore e tij do ta bënte të dështonte strategjinë ndërkombëtare të deritanishme për Kosovën. TV KLAN






Të ngjashme