Tahiri: Brenda vitit i jepet fund kultivimit të kanabisit
Brenda këtij viti i jepet fund kultivimit të kanabisit në vend. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë një deklarate për mediat me shefin e Guardia di Finanza, Giorgio Toshi.
Tahiri tha se këtë vit do të nisin më herët aksionet nga toka dhe ajri për zbulimin dhe shkatërrimin e kanabisit
Tahiri: “Ne jemi shumë të vendosur për të bërë këtë vit atë që nuk është bërë kurrë më parë, ashtu siç jemi shumë të bindur se siç filluam me luftën kundër Lazaratit dhe i dhamë fund asaj njolle turpi për Shqipërinë, këtë vit i japim fund kultivimit të kanabisit në çdo centimetër katror të Republikës së Shqipërisë.”
Plani i qeverisë në luftën antikanabis u mbështet edhe nga shefi i Guardia di Finanza.
Giorgio Toshi, foli për rëndësinë e fluturimeve të Guardia Di Finanza.
Giorgio Toshi, shefi i Guardia di Finanza: “Këto fluturime monitoruese, të kryera sidomos kohët e fundit dhe vitin e fundit, kanë bërë të mundur identifikimin e shumë më tepër parcelave të mbjella me kanabis, kanabis indian në sipërfaqe të ndryshme në Shqipëri.”
Në këtë takim, ministri Tahiri shoqërohej nga drejtori i policisë së Shtetit, Haki Çako./Tv Klan