Tahiri: E shkuara kërkon të pengojë reformimin e policisë


Tahiri: E shkuara kërkon të pengojë reformimin e policisë

11:43 23/05/2016

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pranishëm në ceremoninë e fillimit të kursit Bazë të Patrullës së Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë për 300 kadetët e rinj, deklaroi se beteja më e madhe e policisë është ajo me të shkuarën, e cila sipas tij, po përpiqet të pengojë reformimin e Policisë së Shtetit.

“Ligji ka shumë armiq në këtë vend. E drejta ka shumë armiq në shoqëri e jo vetëm. Mjafton t’i hedhësh një sy të përditshmes për të kuptuar sa janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të sigurt. Kush janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të drejtë. Kush janë ata që nuk duan që Policia e Shtetit të bëjë rezultat. Kush janë ata që nuk e duan fare Policinë e Shtetit.”

Ministri paralajmëroi kadetët e rinj për vështirësitë që do të kenë në përpjekjen e tyre për ta bërë sa më mirë punën e tyre.

Cilido prej jush që do të bëjë një apo shumë punë, cilido prej jush që do bëjë siç duhet punën për qytetarët, duhet ta dijë që sot që do të jetë i sulmuar.

Për në kursin Bazë të Patrullës së Përgjithshme konkurruan rreth 5 mijë aplikantë, por vetëm 300 prej tyre patën mundësinë që të fitojnë të drejtën për të ndjekur atë.

Tv Klan






Të ngjashme