Tahiri – Le Roux: Vetting-u, prioriteti i parë në axhendën tonë


Tahiri – Le Roux: Vetting-u, prioriteti i parë në axhendën tonë

15:30 28/02/2017

Reforma në Drejtësi dhe Vettingu ishin pjesë kryesore e diskutimeve në takimin që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi në zyrën e tij me homologun francez Bruno’ le Roux .

Kjo për faktin se, siç e theksoi Tahiri, persona të dënuar në Francë me burg janë liruar nga gjykatat në Shqipëri, siç është rasti Domart Konjarit, një i dënuar me 10 vjet burg në Francë, që ministri nuk e përmendi me emër, por që gjykatat ne Shqipëri e kane lenë të lirë, çka solli një reagim të ashpër të ambasadorit francez në Tiranë.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: 

E informova kolegun mbi domosdoshmërinë që kemi lidhur me Reformën në Drejtësi dhe Vetting-un si mënyra më e mirë për të pasur më shumë siguri dhe mbi të gjitha për të ndërtuar në të ardhmen një Shqipëri më të mirë e më të drejtë. Rastet kur sistemi gjyqësor dhe korrupsioni në sistemin gjyqësor kanë ndikuar që individë me precedentë të theksuar kriminalë në Francë por dhe Shqipëri të lirohen pavarësisht veprave penale që kanë konsumuar, nuk ka dëmtuar për fat të mirë bashkëpunimin tonë. Por sigurisht rithekson dhe njëherë domosdoshmërinë që kemi për të vënë në pikën e parë në axhendën tonë Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha Vetting-un e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Bashkëpunimi ne luftën kundër krimit të organizuar, ishte një tjetër temë e diskutuar mes tyre.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm:

Ramë dakord për disa pika. Më e rëndësishmja sipas meje, ngritja e grupeve të përbashkëta me oficerë shqiptarë dhe oficerë francezë, të cilët do bëjnë hetime të përbashkëta në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, parave e aseteve kriminale. Kemi sfida të njëjta sa i takon luftës kundër drogës dhe trafiqeve. E informova kolegun lidhur me gjithçka kemi bërë për sekuestrimin e pasurive dhe aseteve kriminale. Ndonëse 100 milion Euro të sekuestruara në tre vite janë shumë më shumë krahasuar me të kaluarën, janë sërish një nxitje e mirë për të bërë akoma më shumë në të ardhmen, nëpërmjet hetimeve të përbashkëta mbi grupet kriminale që mund të kenë aktivitet në Francë apo një nga vendet e Bashkimit Europian por që pasurinë kriminale mund ta sjellin në Shqipëri.

Bruno le Roux marrëdhëniet me Shqipërinë do të kalojnë në një tjetër faze. Ai bëri të ditur se më 28 mars në Paris nga dy kryeministrat e vendeve do të nënshkruhet strategjia e partneritetit dhe bashkëpunimit.

Bruno le Roux:

Vizita ime në Shqipëri është në kuadrin e forcimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Marrëdhënie të cilat në datën 28 mars do të forcohen akoma më tepër me rastin e nënshkrimit në Paris nga dy kryeministrat e vendeve tona në kuadër të strategjisë së partneritetit të bashkëpunimit. Përsa i përket kriminalitetit të organizojmë së bashku grupe hetimore, në fusha të luftës kundër krimit të organizuar ashtu dhe trafikut të drogës.

Ministri francez u pyet edhe pwr çështjen e arrestimin e Ramush Haradijan, për të cilën tha se nuk mund të bëjë asnjë koment pas ka të bëjë me ministrinë e drejtësisë. Konferenca për shtyp u mbajt ne drejtorinë e policisë se Tiranes, ky dy ministrat vizituan sallën e komandimit./ TV KLAN

 






Të ngjashme