Tahiri letër të personalizuar për çdo polic


Tahiri letër të personalizuar për çdo polic

15:38 26/11/2016 https://youtu.be/2v_sf2HVx4o

Kjo është një nga letrat që ministri i brendshëm Saimir Tahiri po i nis në mënyrë të personalizuar çdo efektivi të policisë në fund të 3 viteve nga marrja e detyrës. Në krye të letrës bie në sy se përvec emrit të punonjësit të policisë shkruhen edhe emrat e familjarëve. Ministri Tahiri thotë se e gjeti policinë e shtetit në një gjendje të rëndë kur mori detyrën.

“Situata e 3 viteve me parë nuk linte asnjë vend për optimizëm. Punonjësi i policisë ishte jo vetëm i keqtrajtuar financiarisht e profesionalisht, por edhe i tradhtuar në çdo shkallë të hirearkisë shtetërore. Të punoje në polici ishte hall i madh, duke filluar me uniformën dhe mjetet, te trajtimi dhe paga e deri te çorganizmi strukturor ku nuk kishte asnjë vend për meritën. Shumë punonjës policie e kishin bënë në pikëpyetje vlerën e uniformës dhe jo pak të tjerë ishin kthyer në abuzues përsëritës të saj”.

Numri një i uniformave blu thotë se në mars 2017, rrogat e policisë së shtetit do të pësojnë një tjetër rritje të konsiderueshme pas asaj të bërë 2 vjet më parë. 

“Pikërisht për atë që kemi bërë dhe duhet të bëjmë më tutje, kryeministri ka mbështetur kërkesën tonë për një tjetër rritje të pagave duke bërë të mundur që nga 1 marsi 2017 pagat e punonjësve të policisë të kapin një nivel të kënaqshëm dhe në shkallë rajoni. Rritja e pagave në 2014-ën, një rritje ekskluzive vetëm për policinë e shtetit në momentin kur qeveria përballej me krizën e trashëguar financiare, dhe kjo rritje e dytë në 3 vjet përbëjnë shenjën më kuptimplotë të mbështetjes financiare nga qeveria në historinë e policisë së shtetit”.

Paga e efektivit të policisë në nivelin bazë në vitin 2013 ishte 45600 lekë. Në Janar 2014 u rrit me 25% duke shkuar në 57100 lekë. Me rritjen e re, në mars të vitit 2017, paga e nivelit bazë për punonjësit e policisë shkon në rreth 69 mijë lekë të reja. /Tv Klan






Të ngjashme