Tahiri: Mos ua jepni votën partiçkave
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri zhvilloi një takim me banorë të Katundit të Ri, në kryeqytet. Ndërsa kërkoi votat për Partinë Socialiste më 25 qershor, Tahiri sulmoi sërish LSI-në.
“Po miqtë e mi, në qoftë se ju vijnë këto lloj partish e partiçkash e kandidatësh me lloj-lloj ofertash për para, për benefite, për leje shtëpie, për legalizime, për bursën për djalin, për shkollën për vajzën, merrjani çfarë t’ju japin, votën mos ia jepni. Merrjani çfarë t’u japin votën mos ua jepni. Se praktikisht nuk po ju bëjnë ndonjë nder. Praktikisht po iu kthejnë borxhin. Ju kanë borxh. Ju kanë 25 vjet borxh, po ua kthejnë këtë borxh”.
Ndërsa e deleguara e Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Lindita Nikolla u ka kërkuar banorëve të Rrilës që të votojnë vetëm partinë socialiste për të vijuar me reformat. Sipas materialit të dërguar nga Partia Socialiste, fushatës së Nikollës në qarkun e Lezhës i është bashkuar edhe mjeku pukjan, Simon Puta, i cili ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën 92-96.
Në Vlorë, kreu i listës së deputeteve socialist në këtë qark, Damian Gjiknuri u premtoi banorëve të Akërnisë ndërtimin e rruges që e lidh me Vlorën.
“Në projektin e ri te Bankës Botërore që është për 40 kilometra rrugë rurale, jua them me sinqeritetin më të madh se rruga e pare që është vendosur në aplikim është rruga e Akërnisë. Jo vetëm se pse kam ardhur këtu dhe ju kam premtuar se ajo rrugë do të bëhet, por se pse mendoj se duke u investuar kjo rrugë e rëndësishme që ju shërben ju të gjithëve do t’i hapet rruga investimeve të tjera më të rëndësishme siç është aeroporti që do mbajë emrin e Akërnisë”.
Për kandidatët socialist, votuesit në 25 qershor nuk duhet të lejojnë që qeverisja të kthehet në Pazar.
Tv Klan