Tahiri: Nuk ka pasur asnjë përgjim nga Policia e Shtetit


Tahiri: Nuk ka pasur asnjë përgjim nga Policia e Shtetit

12:53 16/05/2016

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri iu është përgjigjur akuzave të bëra nga opozita, për një pajisje përgjimi që ndodhet në Policinë e Shtetit. Disa ditë më parë prokuroria ka nisur një hetim për këtë gjë, duke marrë shkas nga akuzat e opozitës, që sipas të cilës janë nën përgjime shumë personazhe publikë dhe politikë.

“Më duhet të sqaroj, se Policia e Shtetit nuk disponon dhe nuk ka asnjë pajisje përgjimi. Në Policinë e Shtetit  nuk ka asnjë pajisje përgjimi dhe policia nuk ka punuar kurrë si një pajisje përgjimi. Kjo nuk i lejohet me ligj Policisë së Shtetit”, deklaroi Tahiri.

Numri një i ministrisë së Brendshme tha se në bazë të një marrëveshjeje që në vitin 2007, mes dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë, po zhvillohet një trajnim për shkëmbim të eksperiencave duke metodologjinë më të mirë.

Pavarësisht se u pyet ku ndodhet kjo pajisje, ministri i Brendshëm nuk dha ndonjë përgjigje, por theksoi se “me po të njëjtën pajisje Policia i ka bërë trajnimet edhe në të shkuarën, një pajisje fare normale në punë e policisë së Shtetit, që nuk ka lidhje me përgjimin. Unë mbaj përgjegjësi para publikut, nuk jam në detyrë të bëj atë që kanë bërë ata më parë”.

Ministri Tahiri tha se është i hapur për hetimet që po kryen prokuroria, hetime të cilat nisën kryesisht pas lajmeve të publikuara në media mbi në pajisje përgjimi që ndodhej në Policinë e Shtetit.

“Janë të ftuar ata që mendojnë se ka vend për të parë se çfarë bëhet në polici, të hetojnë 24 orë në 24 të shohin nëse policia e Shtetit thotë të vërtetën, dhe unë them të vërtetën apo ne gënjejmë. Ta bëjnë sipas ligjit, ne jemi të hapur, ata të lënë thashethemet”, u shpreh ministri.

Këto deklarata ministri i bëri nga ambientet e jashtme të Akademisë së Sigurisë, ku së bashku me deputetë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe drejtues të policisë, ndodhej për të ndjekur nga afër trajnimin që po i bëhet studentëve.

/tvklan.al






Të ngjashme