Tahiri – PDsë: Balilin e kemi peshqesh nga ju!


Tahiri – PDsë: Balilin e kemi peshqesh nga ju!

19:24 16/12/2016

“Ashtu si gjithë llumin e Lazaratit e të drogës, të krimit të organizuar e të korrupsionit në polici e gjetëm nuk e sollëm ne, po e trashëguam nga ju, edhe Klement Balilin nga ju e kemi peshqesh

”, ka qenë kjo kundërpërgjigja e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj akuzave të Partisë Demokratike për mosarrestimin e Kelment Balilit.

Në një postim në rrjetet sociale, teksa i konsideron akuzat e opozitës shpifje, Tahiri shprehet se Klement Balili nuk ka asnjë shpresë t’i shpëtojë arrestimit, sado të fshihet skutave e ferrave të zonës ku ka vendosur t’i bëjë rezistencë forcës së ligjit. 

Më herët, Partia Demokratike tha se kronologjia e Ministrisë së Drejtësisë zbulon se urdhër – arresti për Balilin është mbajtur peng për 8 muajsh. Sipas saj, kjo është dëshmi se Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e tij.

Partia Demokratike deklaroi nëpërmjet sekretarit Alibeja se kjo është dëshmia që Edi Rama nuk shkëputet nga krimi, nuk zbaton Dekriminalizimin që e kërkon edhe Europa si kusht për procesin e integrimit.

Reagimi i plotë i Ministrit Tahiri: 

Trimat e Shqupit vazhduan edhe sot të nxjerrin llumin e godinës së tyre për të njollosur Policinë e Shtetit. Përsëri akuzuan Policinë dhe mua personalisht për mosarrestimin e Klement Balilit.

Dua t’ju them sot se ashtu si gjithë llumin e Lazaratit e të drogës, të krimit të organizuar e të korrupsionit në polici e gjetëm nuk e sollëm ne, po e trashëguam nga ju, edhe Klement Balilin nga ju e kemi peshqesh!

Dhe ashtu si kemi pastruar jo pak nga llumi që ju e mblodhët shtresa – shtresa në tetë vjet dhe e shtruat si jorgan pandëshkueshmërie mbi Policinë e Shtetit, ashtu do bëjmë edhe për Klement Balilin.

Shpifjet tuaja për shëtitjet e tij nëpër plazhe e nëpër Tiranë, apo fotomontazhet e qytetarëve tuaj dixhitalë me gjoja Balilin mbi jahte nën mbrojtjen e policisë, nuk na kanë penguar po na kanë motivuar edhe më shumë në ndjekjen e këtij krimineli në kërkim.

Është e vërtetë, policia nuk ka arritur ende ta arrestojë dhe operacionet e njëpasnjëshme që kemi organizuar nuk kane dhënë ende sukses.

Por kjo nuk do të thotë se ne mbrojmë Balilin, sepse kjo është njësoj si të thuash që jo vetëm DEA apo CIA po vetë qeveria amerikane që u investua me burime njerëzore e materiale të papara ndonjëherë, për vite të tëra, në kapjen e Eskobarit, mbronte Eskobarin dhe nuk luftonte për arrestimin e tij!

Apo njësoj si të thuash se kapot e mafias nëpër katundet e Sicilisë që kërkoheshin prej vitesh para se të kapeshin apo të tjerë që nuk janë kapur akoma, mbroheshin ose mbrohen nga Ministria e Brendshme e Italisë!

Unë e pranoj çdo kritikë dhe jam gati të jap llogari për çdo rast mossuksesi të përkohshëm, siç është edhe rasti i Klement Balilit, po refuzoj të degjoj me respekt këto sulme të turpshme ndaj Policisë së Shtetit e ndaj meje apo kryeministrit tim personalisht!

Këto sulme unë thjesht i përbuz!

Këto sulme mund të sugjestionojnë edhe njerëz që duan ta ndihmojnë realisht Policinë e Shtetit në misionin e saj, po jo mua dhe jo publikun shqiptar që di të dallojë qartë Policinë e Shtetit dje me Policinë e Shtetit sot. Luftën me krimin e me drogën dje me luftën me krimin e me drogën sot. Lidhjet e policisë e të paraardhësve të mi në këtë detyrë, me krimin e me drogën dje, nga lidhjet e mia me policinë e me qytetarët sot.

Klement Balili nuk ka asnjë shpresë t’i shpëtojë arrestimit sado të fshihet skutave e ferrave të zonës ku ka vendosur t’i bëjë rezistencë forcës së ligjit. Është i mbaruar dhe fundi i tij do të jetë aty ku kanë përfunduar shumë të tjerë përpara tij.

Por po ashtu, asnjë shpresë nuk kanë as trimat e Shqupit që i tremben vetting -ut si djalli temjanit dhe as ndonjë fjalimxhi me gjuhën e nëpërkës në parlament që i trembet humbjes së sigurtë të karriges së deputetit!

Këta janë vetëm aktorët e një maskaradë të pambarimtë kundër Policisë së Shtetit dhe përgjigjen do ta marrin në 18 Qershor të vitit që po vjen bashkë me ndëshkimin e tyre më të rëndë popullor

!/tvklan.al






Të ngjashme