Tahiri përballet me prokurorët


Tahiri përballet me prokurorët

15:30 20/10/2017

Në Këshillin e Mandateve dhe Rregulloreve të Parlamentit, përballja e ish – ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe prokurorëve që kanë kërkuar autorizimin për arrestimin e tij, shkaktoi debate.

Tahiri: “Lëre ta thotë prokuroria”

Drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj është shprehur se gjatë hetimeve janë siguruar të dhëna se Saimir Tahiri është pjesë grupit të vëllezërve Habilaj, i akuzuar për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion.

Hajdarmataj tha se ka prova që e implikojnë ish – ministrin.

“Na rezulton që në një kohë të caktuar, ndërkohë që deputeti ndodhej në Greqi, automjeti është dërguar nga njëri prej vëllezërve Habilaj në Greqi dhe më pastaj është kthyer me këtë automjet deputeti Saimir Tahiri.”

Ish – ministri dha këtë sqarim për pretendimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Kam dalë unë me këta persona jashtë Shqipërisë siç deklaroni që kam dalë në katër data? Po ose jo? Kam dalë apo jo? Kjo është themelore për vërtetësinë e një gjëje të tillë. Tani ky komision do të gjykojë nëse unë do të shkoj në burg apo jo. Më thoni, kur keni deklaruar se ju rezulton se unë kam dalë i shoqëruar me këta persona, jeni të bindur  dhe kjo konfirmohet nga TIMS apo po hamendësoni mbi datat?”

Tahiri tha se akuzat nuk janë të bazuara në prova dhe se ai ka kërkuar vetë hetimin e Habilajve.

 “A jeni në dijeni që unë në mes të shtatorit jam paraqitur pas disa deklaratave publike tek Prokurori i Përjgithshëm dhe kam kërkuar hetim, pasi sipas deklaratave publike, makina ime ishte e përfshirë në trafik droge nga Habilajt. Dhe më pas ju keni regjistruar procedimin penal për këtë çështje që është mbyllur 29 dhjetor 2015, jeni në dijeni se është hetuar për këtë çështje?”pyeti Tahiri.

 

Hajdarmataj: “Ne po flasim këtu për referime për një aktivitet kriminal të disa personave, me autoritetin e shtetit, personalisht ju jeni përfshirë le të themi në një skandal politik, ju keni ardhur për të sqaruar pozitën tuaj. Në dijeninë time, nga të gjithë regjistrat që unë disponoj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nuk ka një material të referuar nga Policia e Shtetit, jo nga ministri i Brendshëm për personat konkretë.”

Tahiri: “Unë nuk pres prej jush komente për skandale politike, këto mi lini mua. Jam më i zoti.”

Ish – ministri ka lexuar dhe një pjesë të përgjimeve të kryera nga policia italiane, ku përmendet emri Saimir, duke lënë të kuptohet qartë se nuk bëhej fjalë për të.

“Sipas përgjimeve të Prokurorisë italiane dhe është në thonjëza: “Tani Saimiri ka ikur të marrë nja 50 thasë. Dhe unë i thashë po pse ça jam unë? Unë nuk marr kaq e aq për kaq dhe më tha atëherë mirë, dakord, këto jepja Agronit. Dhe unë i thashë, bëj çfarë të duash. Nuk merrem me këtë punë. Dhe pse e bën gjithë këtë punë? Sepse ke kamion? Dhe ke një linjë tënden.”

Pas leximit të kërkesës nga Prokuroria dhe pyetjeve të Tahirit, Këshilli vendosi që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi provat e tjera të prokurorisë përbëjnë sekretet hetimor.

Debate pati edhe mes deputeteve të mazhorancës dhe opozitës për procedurën e zhvillimit të mbledhjes.

Tv Klan






Të ngjashme