Tahiri takim me homologun kosovar Skënder Hyseni
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi ka takuar dhe homologun Skënder Hyseni në Prishtinë. Tahiri u shpreh se,
ka sfida që mbeten prioritet në agjendën tonë, nga kjo anë dhe ajo anë e kufirit, lidhur me lëvizjen e lirë dhe qëndrimin e shtetasve.
Ministria e Brendshme shqiptare i ka kërkuar Interpolit të rishikojë të gjitha urdhër arrestet e Serbisë, përfshi këtu dhe rastin e arrestimit të Ramush Haradinajt, të cilin ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka quajtur të tepërt dhe të paligjshëm,
tha Tahiri. Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë konferencës të përbashkët për mediat me homologun kosovar Skënder Hyseni – Prishtinë: Të falenderoj për mikpritjen, publikisht me ndjesën time për kthimin e vonuar të vizitës. Megjithatë mbetet gjithmonë kënaqësi e veçantë të takohemi. Dhe të konstatojmë ecurinë e gjithçkaje kemi në agjendën e përbashkët, duke theksuar nga njëra anë arritjet tona, e duke i konsideruar ato si treguesin më të mirë i mundësive që kemi përpara për të bashkëpunuar më shumë. Kemi pasur shembuj shumë pozitivë të bashkëpunimit dypalësh dhe hetimit të përbashkët ndërmjet agjencive ligjzbatuese, veçanërisht në kuadër të luftës kundër terrorizmit, të krimit të organizuar, në mënyrë specifike krimit kufitar. Ashtu siç e theksoi dhe kolegu, ka sfida që mbeten prioritet në agjendën tonë, nga kjo anë dhe ajo anë e kufirit, lidhur me lëvizjen e lirë dhe qëndrimin e shtetasve. Megjithatë unë shpresoj dhe besoj se me dëshirën e mirë dhe vullnet mund të tejkalohen dhe pengesa që mund të jenë ligjore apo të akteve normative. Ashtu si, me dëshirë të mirë e vullnet pozitiv, patjetër nuk duhet të lejojmë që burokracia të dëmtojë apo të vrasë bashkëpunimin. Gjithashtu më duhet të theksoj mbështetjen e popullit, e qeverisë, kryeministrit Rama, të klasës politike në tërësi në Shqipëri për institucionet e Kosovës dhe për sfidat në agjendën prioritare të Kosovës, lidhur me liberalizimin e vizave, lidhur me shtimin e numrit të vendeve që njohin Republikën e Kosovës. Dhe po ashtu domosdoshmërinë për një dialog konstruktiv në shmangien e të gjitha provokimeve apo ngërçeve të panevojshme që do të dëmtonin jo pak procesin e dialogut – po them, në të ardhmen tonë të përbashkët. Në këtë kuadër mbështetja edhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës është dhe mbetet e pakushtëzuar në kuadër të të gjitha sfidave që kemi përpara, duke theksuar bashkërisht, besoj, nevojën për maturi, për dialog të vazhdueshëm dhe nevojën për veprime të përbashkëta, të cilat në të gjitha rastet do të forcohen, roli stabilizues në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po pse jo edhe në nivel rajonal. Ndaj dua ta falënderoj kolegun dhe mikun tim Skënderin, duke shpresuar, e ritheksoj, gjithçka kemi bërë deri sot, është shenja më e mirë për gjithçka mund të bëjmë në vazhdim. Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje çështjet më të fundit që janë shtuar për zgjidhje para jush dhe para qeverisë së Kosovës. Unë pata një takim me Presidentin Thaçi ku ndamë shumë lidhur me nevojën për zgjidhje konstruktive lidhur me këto çështje. Ne mbetemi dhe do mbetemi të vëmendshëm në vazhdim duke qenë në krah jush pa asnjë diskutim. Pyetje: Si i komentoni flete- arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia, duke përmendur rastin e Ramush Haradinajt? Edhe ju thatë për dialogun me Serbinë që duhet të vazhdojë. Eshtë përmendur një ide që edhe Shqipëria do të jetë pjesë e këtij dialogu. A mendoni që Shqipëria mundet të ndihmojë në këtë aspekt? Ministri Tahiri: Të falënderoj për pyetjen. Ekzekutimi i urdhër-arresteve të lëshuara nga Serbia, dhe është i tepërt, i paligjshëm. Dhe unë ia kam shprehur këtë bindje edhe drejtuesve të Interpolit duke i kërkuar, jo vetëm në rastin e ish-kryeministrit z.Haradinaj, por rishikimin e të gjitha urdhër-arresteve të lëshuar nga Serbia dhe mos-ekzekutimin e tyre në të ardhmen. Kjo mbetet një çështje në diskutim e sipër me INTERPOL-in. Unë kam pasur rastin të diskutoj me të gjithë aktoret ashtu si mbetet një çështje në agjendën tonë edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në INTERPOL gjë që do ta bënte shumë më të mundur dhe një zë shumë më të fortë nevojën për zgjidhjen definitive të këtyre çështjeve. Pra unë besoj se nuk është çështje procedurash por mbetet një çështje për tu adresuar nëpërmjet procedurave në INTERPOL. Është kjo arsyeja pse i kam kërkuar INTERPOLIT të rishikoj dhe të filtrojë dhe të mos konsideroj në vijim çdo urdhër arresti, si bënë edhe në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj. Nga ana tjetër ne besojmë shumë fortë te dialogu. Ne mbetemi të bindur që gjuha e arsyes është rruga më e mirë, ashtu siç jemi tërësisht të bindur se institucionet e Kosovës janë plotësisht në gjendje për të zhvilluar dhe për të çuar përpara agjendën e dialogut dhe të integrimit të Republikës së Kosovës. Ndaj jam besim plotë dhe kam besim se nuk ka nevojë për asgjë më shumë se sa besimi ynë te institucionet e Kosovës për procesin e dialogut dhe stabilitetin në rajon./tvklan.al