Takim Kurti-Vuçiç në prani të Merkel dhe Macron
Dakordësi për vijimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duket të jenë pajtuar për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve në Bruksel.
Në takimin e përbashkët që zhvilluan në kuadër të Samitit në Slloveni me praninë edhe të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron janë diskutuar disa tema të dialogut si dhe procesi I Berlinit.
“Ne folëm për Procesin e Berlinit; lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave, Mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, ka shkruar Kurti në Tëitter pas takimit.
Ndërsa Vuciç tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa u zgjidhur problemet me Kosovën. Derisa konfirmoi se dialogu do të vazhdoj ai insiston se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë prioritet.
“Sigurisht, ne do të vazhdojmë dialogun, vetëm se tema e parë duhet të jetë Asociacioni, ashtu siç ishte shkruar në deklaratën e BE-së. Ne folëm për diplomat, njohjen e profesioneve, procesi i harmonizimit do të vazhdojë. Kjo përfundimisht do të kontribuonte në lirinë më të mirë të lëvizjes”.
Takimi është zhvilluar rreth një javë pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.
Tv Klan