Takimi Berisha – Demaci (06 Janar 1999)
Pas takimeve me krerët e shtetit shqiptar, sot njeriu që përfaqëson interesat politike të UÇK-së, Demaçi, është ulur për bisedime me kryetarin e demokratëve Sali Berisha. Takimi mes tyre i paralajmëruar për t’u zhvilluar një ditë më parë në zyrën e Berishës, ka zgjatur mbi dy orë, duke spostuar kështu për Demaçin edhe oraret e takimeve të tjera.
Menjëherë pas bisedimeve, ja si e konsideron Berisha takimin me Demacin, i cili sipas tij, në emër të interesave të mëdha, është i gatshëm dhe i hapur për çdo lloj bashkëpunimi.
” Zoti Demaçi është i përgatitur plotësisht për të negociuar, për t’u angazhuar në proces politik negociatash siç është shprehur, dhe është i vendosur që në emër të interesave më të mëdhaja, të vendosë bashkëpunimin me të gjithë faktorët dhe unë këtë e konsideroj dhe e përgëzoj. E gjej më të vendosur se asnjëherë për të marrë pjesë në një përfaqësim dinjitoz në negociata dhe kemi rënë dakort plotësisht se me miqtë dhe aleatët tanë duhet të bashkëpunojme me ta kudo që janë dhe në veçanti miqtë e mëdhenj që shqiptaret kanë me Shtetet e Bashkuara dhe në administratën amerikane me një dialog konstruktiv për dërgimin përpara të këtij procesi. Zoti Demaçi është i bindur si një politikan me eksperiencë, se ky është një proces në të cilin shqiptarët duhet të sanksionojnë dhe të realizojnë lirinë e të drejtat e tyre kombëtare si të gjithë popujt e tjerë në Europë.”/tvklan.al