Takimi i Metës me Limpreht – (3 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Buxheti i shtetit shqiptar do të mbështetet çdo vit me 25 deri 30 milion dollarë nga qeveria amerikane duke shtuar edhe 14 milion dollarë për mënjanimin e pasojave të krizës kosovare. Këtë e ka deklaruar sot Drejtori i USAID-it në Shqipëri Hauard Sunka i cili së bashku me Ambasadorin Limpreht kanë takuar sot Kryeministrin Meta.
Drejtori i USAID ka parashtruar dhe një sërë programesh e projektesh, ndër ta një program prej 14 milion dollarësh për rehabilitimin e kopshteve, shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës sociale të shfrytëzuar nga refugjatet kosovarë.
Kryeministri Meta ka parashtruar shkurtimisht prioritetet e qeverisë, duke nënvizuar forcimin e rendit, luftën kundër kontrabandës, sigurimin e sa më shumë projekteve në kuadrin e Paktit të Stabilitetit etj. Më tej dy funksionareët e lartë amerikanë në Shqipëri, duke u ndalur tek marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës kanë theksuar se i takon angazhimit të Qeverisë për të bashkëpunuar me të brenda institucioneve në mënyre që edhe opozita të luajë rolin e saj si forcë konstruktive.
Ne nuk do të lejojmë asnjë kompromis në kurriz të institucioneve ka deklaruar Meta. Çdo shqiptar dhe veçanërisht politikanët ka përfunduar Meta duhet të kuptojë se ligji është i njëjtë për të gjithë dhe kushdo që e cënon atë do vendoset përballë tij./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego