Takimi i Metës me ministrin Poçi – (9 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Lufta kundër krimit është prioriteti i Shtetit Shqiptar. Kryeministri i sapozgjedhur Ilir Meta është takuar në ambjentet e Ministrisë së Rendit me Ministrin Spartak Poçi, Kryeprokurorin Arben Rakipi dhe me shefin e SHIK-ut Fatos Klosi. Në këtë takim është kërkuar bashkërendimi i punës mes strukturave përkatëse për të luftuar çdo shfaqje të krimit dhe në radhë të parë krimin e organizuar.
Trafiqet ilegale të klandestinëve, kontrabanda e duhanit dhe e drogës, prostitucioni e të tjerë janë çështjet më problematike, ndaj angazhimi më i madh i policisë do të bënte të mundur eliminimin e tyre në maksimum. Ministri Poçi në fjalën e tij ka bërë një panoramë të punës së dikasterit të tij në këto 3-4 muajt e fundit, duke evidentuar eliminimin e mëse 30 bandave por nuk ka nguruar të pranojë edhe mangësitë.
Ndërkaq Rakipi dhe Klosi i kanë mëshuar më tepër idesë së bashkërendimit të punës në luftën kundër krimit. Kryeministri Meta ka deklaruar se strukturat që luftojnë krimin do të kenë mbështetje maksimale nga ana e Qeverisë që ai drejton. Ne në radhë të parë duhet të vendosim rendin brenda rendit është shprehur Meta. Takimi i sotëm është përpjekja e Kryeministrit për të bashkërenduar punën e institucioneve në fjalë në luftën kundër krimit./tvklan.al