![](https://i0.wp.com/prova.tvklan.al/wp-content/uploads/2018/11/treshja-simpatike.jpg?fit=1061%2C548&ssl=1)
Takimi Kosovë-Serbi mbyllet pa rezultat
Edhe pse raundi i të enjtes i dialogut me homologun serb në Bruksel nuk solli asnjë rezultat, presidenti kosovar Hashim Thaçi nuk sheh zgjidhje tjetër për paqe në gjithë rajonin, veç marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.
“Cila është alternativa veç paqes dhe marrëveshjes me Serbinë, lufta, tragjedia, mirëkuptimi, marrëveshja apo ndërtimi i një muri mes Kosovës e Serbisë 300 kilometra? Shoh dritë në fund të tunelit, sepse ky është vullneti i popullit tonë pavarësisht zërave në vend”.
Megjithatë, dialogu hyri në një shteg të vështirë të enjten, siç u shpreh presidenti serb.
“Kemi ditë të vështira përpara për vendin tonë, në kuptimin politik. Ditët e fundit, patëm vendimin e autoriteteve në Prishtinë, që rritën taksat për mallrat serbe në mënyrë të jashtëligjshme përkundrejt marrëveshjes CEFTA”.
Por Vuçiç ironizoi shqiptarët teksa dikush i ndërpreu intervistë për televizonin shtetëror serb pas takimit të së enjtes.
“Shqiptarët duan të bërtasin kaq shumë! Askush nuk u ka mësuar se si të sillen në një mënyrë të denjë për të mos i penguar fqinjët? Nuk ka rëndësi, do të mësohen”.
Pas takimit Bashkimi Europian kërkoi përshpejtim të hapave për normalizimin e marrëdhënieve, proces nga ku varet perspektiva europiane e dy vendeve.
Tv Klan