Takimi Majko- Berisha për situatën e Kosovës, raportojnë Meta dhe Pollo (18 Janar 1999)
Pa u mbushur ende një muaj nga takimi i parë Majko-Berisha, rendimi i situatës në Kosovë dhe pasojat e saj në Shqipëri, kanë ulur sërish në një tryezë liderin e opozitës me kreun e Qeverisë. Takimi është nisur me një shtrëngim dore të Majkos me Berishën.
Sipas Berishës :” Takimi ka si temë kryesore masakrën e fundit të serbëve në Reçak të Kosovës, qëndrimin e forcave politike shqiptare në Shqipëri por dhe më gjerë. Ky takim do të vijohet nga një takim tjetër besoj me të gjitha forcat e tjera politike parlamentare. Ne kërkojmë së pari të dëshmojmë se jemi të vendosur të punojmë në përputhje me principin një komb një qëndrim.”
Më pas gjithçka ka vazhduar me dyer të mbyllura. Takimi i cili ka zgjatur mbi dy orë, është komentuar kështu nga Ilir Meta dhe Genc Pollo.
Ilir Meta : Dy ishin problemet kryesore që natyrisht kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në Kosovë. Pra zhvillimet më të fundit atje dhe parandalimi i masakrave në të ardhmen si kjo e fundit dhe koordinimi i përpjekjeve këtu midis Qeverisë dhe Opozitës për të paraqitur të njëjtin qëndrim përpara faktorit ndërkombëtar por edhe për të inkurajuar të gjithë faktorët në Kosovë që të mirëkuptohen më shumë me njëri- tjetrin. Dhe së dyti, padyshim rritja e sigurisë kombëtare të Shqipërisë për të cilën ka një mirëkuptim dhe patjetër do të ketë dhe bashkëpunim gjithnjë e më të plotë.
Genc Pollo: Në situatën e krijuar padyshim që do të flitet për të gjitha, përfshirë dhe masat me karakter mbrojtës dhe masa të tjera, dhe një traditë që është tipike për demokracinë. Këto çeshtje gjithmonë të konsultohen dhe rakordohen midis Qeverisë dhe Opozitës. Dhe është folur natyrisht në këtë drejtim dhe është mirë që flitet sepse situata mund të evoluojë në drejtime të papritura, në drejtime që mund të jenë të rrezikshme dhe këtu është e nevojshme të jemi të gjithë të përgatitur si institucionalisht ashtu dhe popullsia sidomos psikologjikisht, prandaj duhen tryeza të tilla dhe bisedime të tilla në mënyrë që të tërë përfaqesuesit e forcave politike të flasin me një zë dhe të kenë një qëndrim në këtë çeshtje shumë të rëndësishme dhe shumë jetike.
Gazetari: Ishte takim PD-PS apo Qeveri-PD?
Genc Pollo: Besoj që detaje të tilla nuk janë të rëndësishme sidomos para sfidës madhore me të cilën përballemi. Ishte një takim midis zotërinjve, ju e dini pak a shumë kush ka marrë pjesë në takim dhe rakorduam dhe kemi mirëkuptim për qëndrimet që duhet të marrim. Më tej do mblidhet dhe tryeza e gjithë forcave e gjithë partive politike parlamentare që do dali besoj me një deklaratë të cilën mund ta lexoni dhe do paraqesim një qëndrim të tillë të përbashkët shumë të rëndësishëm, e theksoj.
Ilir Meta: Unë do dëshiroja, deklarata e fundit që dua të bëj që mediat të cilat kanë një rol shumë të rëndësishëm edhe në këto momente të vështira të mos e vënë theksin në detaje të parëndësishme dhe sensacionale, por pikërisht t’i përgjigjen kësaj fryme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Opozitës./tvklan.al