Takimi Meta-Klinton (18 Nëntor 1999)
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin qeverisjen e re në Shqipëri dhe prioritetet e shpallura prej saj. Kështu i është drejtuar Presidenti i Amerikan Bill Klinton, Kryeministrit Ilir Meta në takimin e paparashikuar zhvilluar sot gjatë punimeve të Samitit të OSBE-së në Stamboll. Përkrah plotësisht luftën që po i bëhet kriminalitetit dhe korrupsionit në Shqipëri, është shprehur Klinton. SHBA-ja mbështet çdo përpjekje që i bëhet stabilitetit të vendit tuaj. Duke u ndalur tek Pakti i Stabilitetit, Klinton tha se Shqipëria duhet të japë kontributin e saj për realizimin e projekteve në Rajon dhe shtimin e sigurisë së zonës nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike.
Kryeministri Meta ka siguruar Presidentin Amerikan se prioritetet e qeverisjes janë dhe do të mbeten rruga e vetme e zhvillimit demokratik të vendit. Do të punohet ka nënvizuar Meta për të arritur me çdo kusht ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe integrimin e saj në strukturat europiane. Presidenti Klinton mbështetjen e shtetit amerikan për kabinetin e ri e ka shprehur dhe më parë në mesazhin e urimit për zgjedhjen e Kryeministrit Meta ku e ka cilësuar atë politikan të zgjuar dhe burrë shteti./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego