Takimi Meta-Last (23 Nëntor 1999)


Takimi Meta-Last (23 Nëntor 1999)

10:43 23/11/1999

Sot paradite Kryeministri Ilir Meta priti në një takim të veçantë Drejtorin e Logjistikës dhe Asistencës të Trupave Komando, pranë Komandës Europiane të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Leri Last. Kryeministri falenderoi ushtarakun e lartë për ndihmën që Qeveria dhe Ushtria Amerikane i kanë dhënë Ushtrisë e Policisë Shqiptare për trajnimin e kuadrove dhe oficerëve shqiptarë në përballimin e situatave që kaloi vendi ynë gjatë konfliktit kosovar.

Zoti Meta pasi theksoi nevojën e këtij bashkëpunimi duke e konsideruar si një nevojë emergjente që ka vendi ynë në luftën e mëtejshme dhe pa kompromis kundër krimit si dhe përsosjen së mëtejshme të ushtrisë shqiptare sipas standarteve të ushtrisë së NATO-s , tha se do të kërkojë nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Rendit të mësojë për pozitën institucionale të kuadrove të trajnuar si dhe kontributin që ata japin për rritjen e profesionalizmit në sektorët ku punojnë.

Gjenerali amerikan Last tha ndër të tjera se e sheh parësore thellimin e marrëdhënieve të deritanishme mes Ushtrisë dhe Policisë Shqiptare dhe asaj Amerikane, si dhe vlerësoi aftësitë e ushtarakëve shqiptarë të trajnuar nga Ushtria Amerikane duke shprehur konsideratën për nivelin e përgatitjes së tyre. Në këtë takim merrte pjesë dhe ambasadori i SHBA-së në Shqipëri Liempreht./tvklan.al






Të ngjashme