Takimi Meta-Papandreu, reagimi i opozitës – (10 Mars 2000)


Takimi Meta-Papandreu, reagimi i opozitës – (10 Mars 2000)

09:24 10/03/2000

Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Këto pamje janë në Shqipëri dhe jo në Greqi. Në vizitën e djeshme të ministrit të jashtëm grek Papandreut dhe kryeministrit Meta në jug të vendit nuk pati asnjë flamur apo shenjë tjeter që të tregonte në mënyrë simbolike se takimi zhvillohej në Shqipëri.

Opozita ka reaguar menjëher sot ndërkohë që qeveria shqiptare e ka kaluar në faktin se takimi i dy zyrtarëve të lartë dukej sikur u zhvillua në veri të Greqisë dhe jo ne jug të Shqiperisë. Sipas opozitarëve shqiptar është e turpshme që Papandreu dukej sikur ishte në shtëpine e vetë, ndërsa Meta në tokë të huaj. Sipas Pjeter Arbnori sekretari i marrëdhënieve me publikun në PD, lidhjet e qeveritarëve shqiptar me Greqinë janë të thella, lidhje këto që kanë dëmtuar kohët e fundit marrëdhëniet me Italinë.

Pjeter Arbnori:- “Qeveria shqiptare ka rënë në hall, pasi shiti çdogjë që mund të shitej tashti përpiqet të mbrojë fytyrën e vetë. Qeveria Italiane ndihet e tradhëtuar nga qeveria socialiste në Shqipëri sepse nga njera anë flisnin për marrëdhënie të mira me Italinë dhe nga ana tjetër pazaret bëheshin me Greqinë”.

Në fakt po dje duke ndjerë ndonjë mëri të mundshme të fqinjit përtej Adriatikut, kryeministri Meta përpara se të takonte Papandreun, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin italian D’Alema, të cilën e bëri menjëherë publike./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme