Takimi Meta, Simitis, Gjeorgjevski në Prespë – (2 Shkurt 2000)


Takimi Meta, Simitis, Gjeorgjevski në Prespë – (2 Shkurt 2000)

19:09 02/02/2000

Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Takimi Meta, Simitis, Gjeorgjevski është zhvilluar në fshatin turistik Germanos, në pjesën greke të liqenit të Prespës. Në parim është rënë dakor hapja e kufijve mes tre shteteve në rajonin përreth liqenit, çka do të lehtësoj lëvizjen e lirë të shtetasve që duan të bëjnë turizëm në brigjet e Prespës. Gjithashtu është rënë dakort të krijohet forumi i Prespës, i cili do të përbëhet nga njerëz nga shoqeria civile dhe biznesmenë të tre shteteve kufitare.

Gjithashtu në takimet e sotme Meta, Simitis, Gjeorgjevski është diskutuar për të krijuar lehtësira kufitare mes tre shteteve, të cilat do pasohen më pas nga bashkëpunimi ekonomik e kulturor mes lokaliteteve kufitare. Synohet gjithashtu shpëtimi i këtyre zonave, të virgjëra natyrore nga braktisja e popullsisë në emigracion. Do të vendosen masa të rrepta për mbrojtjen e parqeve kombëtare të pyjeve, mbrojtjen e peshqëve, eleminimin e ndotjeve industriale dhe gjuetisë të paligjshme të kafshëve të egra në zonat që lagen nga Prespa. Në takimin ballkanik që do të mbahet në Bukuresht do të nënshkruhet një tjetër dokument i paktit të stabilitetit, karta e fqinjësisë dhe bashkëpunimit. Ndërsa në muajin Mars në Bruksel pritet të finalizohet mbështetja financiare për projektet e përbashkëta rajonale./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme