Kostoja në buxhet për banorët e Kukësit 2 milionë Euro


Kostoja në buxhet për banorët e Kukësit 2 milionë Euro

12:46 04/06/2018

Buxheti i shtetit do të paguajë 2 milionë Euro çdo vit për të kompensuar koncesionarin për tarifën e reduktuar që do të paguajnë banorët e zonave përreth rrugës Milot- Morinë.

Burime zyrtare për Televizionin Klan bëjnë me dije se formula mbi të cilën do të jepen paratë për kompaninë ‘Albania Highway Concession’ do të bazohet mbi paragrafin 25.2 të kontratës, ku nëse të ardhurat për firmën koncesionare janë më pak se trafiku i munguar, atëherë buxheti i shtetit kompenson diferencën. Vitin e parë të ardhurat e garantuara janë 7.9 milionë Euro.

Në total banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës do të paguajnë 100 lekë për një kalim në këtë rrugë dhe po aq për kthimin, duke bërë në total koston për rrugën vajtje-ardhje 1.5 Euro. Diferenca prej 8.5 Eurosh do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Sipas matjeteve të bëra, numri i makinave të regjistruara në këto zona është 8 mijë, ku 700 prej tyre kalojnë në të dy kahet e tunelit të Thirrës, ku është vendosur dhe sheshi i pagesës së tarifës. Tashmë negociatat me kompaninë janë duke u përqëndruar te zgjidhja teknike se si do të bëhet ulja e taksës për përdoruesit e rrugës që janë banorë të zonës.

Burimet thonë se në mes të Qershorit do të mund të fillojë sërish pagesa, por kjo do të bëhet pas informimit të qytetarëve në këto zona dhe sqarimit të mënyrës se si do të bëhet pagesa.

Tv Klan






Të ngjashme